Kumbulla: Jam tek Roma për këtë arsye

Futboll

Kumbulla: Jam tek Roma për këtë arsye

Më: 19 shtator 2020 Në ora: 11:13
Kumbulla: Jam tek Roma për këtë arsye

Marash Kumbulla, pas një furtune me oferta që e kishin rrethuar për disa muaj me radhë, në mënyrë surprizë vendosi që të zgjedhë diellin e Romës dhe pas firmës në kontratë nga ana e “diamantit” të Shqipërisë, mbrojtësi 20-vjeçar ka zgjedhur numrin 24 në fanellë dhe menjëherë më pas ka shprehur edhe emocionet e para të transferimit të tij te “Ujkonja”. Pritshmëritë për talentin kuqezi janë shumë të mëdha, ashtu sikurse edhe shuma e madhe e paguar për të, ndonëse në të njëjtën kohë edhe vetë Marashi ndihet shumë optimist për aventurën që do të nisë nesër dhe si për ironi të fatit pikërisht ndaj Veronës, në stadiumin “Bentegodi” që deri të mërkurën ishte shtëpia e tij e dytë.

“Roma përfaqësonte një mundësi dhe një sfidë që nuk mund ta refuzoja. Projekti i këtij klubi më përfshiu totalisht dhe nuk pata asnjë hezitim që të pranoja ofertën e Romës. Por, mbi të gjitha, premtoj se do të bëj gjithçka për të mos zhgënjyer personat që besuan tek unë. Menjëherë pata ndjesi shumë të bukura, pasi shokët e rinj më pritën në një mënyrë të pabesueshme. Edhe drejtuesit, apo aq më tepër tifozët më dhuruan një energji shumë pozitive, e cila do të më ndihmojë që të jap maksimumin që në fillim”, bëri hyrjen e tij Kumbulla në intervistën për uebsajtin e klubit.

Kumbulla, gjatë kësaj merkatoje ju dëshironin shumë klube. Çfarë ju shtyu të zgjidhnit Romën?

Më bindi besimi i këtij klubi, biseda me trajnerin, stafi teknik, vlera e kësaj skuadre dhe ngrohtësia e tifozëve. Të gjitha këto më bënë që ta dashuroj menjëherë Romën.

Keni folur tashmë me trajnerin Fonseka?

Po, folëm dhe menjëherë pata një ndjesi shumë të bukur. Që në fillim më shpjegoi se si do të luanim, ndonëse me kohën do të njihemi më mirë me njëri-tjetrin dhe gjithçka tjetër. Madje, duam të fitojmë trofe së bashku.

Java e parë e kampionatit do t’ju vërë përballë të kaluarës suaj, skuadra që ju rriti. Çfarë ndjesish ju përshkojnë, teksa mendoni se do ta keni Veronën kundërshtare?

Verona ishte dhe do të mbetet shtëpia ime. Falënderoj drejtuesit e klubit, shokët e mi dhe tifozërinë, sepse pa ata nuk do të mund të rritesha aq shpejt. Nuk do t’i harroj kurrë, ky është premtimi im.

Keni treguar se cilësitë për të luajtur në një klub të madh nuk mungojnë. Por, sipas jush, cila është më e mira prej tyre?
Mendoj se të parapririt kundërshtarin dhe di të jem agresiv. E cilësoj veten si një mbrojtës që përveçse mendon të mbrojë, di të qarkullojë mirë edhe topin.

Ndërkohë, cila është pika ku duhet të përmirësoheni?

Duke qenë shumë i ri, kam shumë për të përmirësuar. Mendoj se duhet të punoj më shumë në fazën e pozicionimit dhe në lojën me këmbën e majtë, këmba ime e dobët.

Gjatë sezonit të kaluar u bëtë pjesë edhe e Kombëtares shqiptare. Sa e rëndësishme është përfaqësuesja për ju?
Po, në tetor mora thirrjen e parë dhe shpresoj që të vazhdoj të jem pjesë e rëndësishme e saj, pasi Shqipëria ka objektiva të rëndësishëm për të synuar në të ardhmen.

Pra, kjo do të thotë se keni një motiv më shumë për të bërë edhe më mirë te Roma nga ky sezon e në vazhdim?
Sigurisht, prandaj jam edhe kaq entuziast që jam pjesë e këtij ekipi. Objektivi im me Romën është që të ndihmoj trajnerin Fonseka, por edhe shokët e skuadrës për t’u përmirësuar sa më shumë si grup dhe për të fituar sa më tepër ndeshje që të jetë e mundur. Dhe kjo sigurisht që arrihet duke u rritur të gjithë së bashku.

Keni një mesazh për tifozët verdhekuq?

I falënderoj tifozët e Romës për pritjen që më bënë. Dua të jap më të mirën time, në mënyrë që të fitojmë dhe të festojmë sa më shpejt së bashku me ata, brenda dhe jashtë stadiumit.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat