Agim Ademi: Ligji i Sponsorizimeve tek ne ndryshoi futbollin

Futboll

Agim Ademi: Ligji i Sponsorizimeve tek ne ndryshoi futbollin

Më: 22 shtator 2020 Në ora: 23:59
Agim Ademi: Ligji i Sponsorizimeve tek ne ndryshoi futbollin

Futbolli në Shqipëri vazhdon bojkotin, teksa në horizont ende nuk shihet një zgjidhje e shpejtë. Liga Profesioniste nuk tërhiqet nga kërkesat e saj, ndërsa qeveria ruan pozicionin.

Kërkesat nuk ndryshojnë, ndërsa si model për zgjidhjen e tyre janë ndryshimet ligjore nën shembullin e Kosovës. Jo shumë larg, qeveria në Prishtinë miratoi ligjin e ri. Për të dhe mundësinë e aplikimit të një ligji të njëjtë edhe në Shqipëri ka folur në një lidhje direkte me gazetaren Enxhi Biba për emisionin “Sport News”, në “News 24” presidenti i Federatës së Kosovës, Agim Ademi.

“Ne kishim një bashkëpunim shumë të mirë me qeverinë. Shpresoj që edhe në Shqipëri palët të gjejnë një zgjidhje të shpejtë. Ligji i Sportit në Kosovë afron sponsorat në futboll dhe në të gjitha sportet me anë të lehtësimeve fiskale në tatime, apo në tatimet mbi fitimet. Nga ana tjetër, qeveria ka marrë përsipër krijimin e infrastrukturës, fushave, palestrave etj. Në këtë mënyrë, klubet mund të kenë mundësi për krijimin e një buxheti të nevojshëm. Mendoj se ai mund të aplikohet edhe në Shqipëri, pasi ligjet e dy vendeve nuk janë shumë të ndryshëm. Sa i përket bojkotit, nuk mund të them nëse ishte zgjidhja e duhur apo jo. Por shpresoj edhe një herë që të gjendet sa më shpejt zgjidhja dhe futbolli të kthehet në fushë, pasi edhe kalendari nuk premton”, ka thënë mes të tjerash presidenti i FFK, Agim Ademi.

Ademi ka dhënë edhe shembullin se çfarë efektesh ka pasur miratimi i Ligjit për sponsorizim në Kosovë në vlerën 30% të tatimit mbi fitim. “Shikoni se si ndryshoi menjëherë merkato në Kosovë. Edhe pse ishte viti i pandemisë, klubet patën tjetër hov financiar dhe më pas bënë një merkato ndryshe nga vitet e tjera.

Shikoni se sa futbollistë kanë marrë nga Shqipëria, investimet që kanë bërë dhe fuqizimin e tyre me lojtarë cilësorë. Kjo ndodh, sepse ka biznese që me aq sa kursejnë nga ligji i sponsorizimeve, të mund të investojnë mjaftueshëm nëpër klube të ndryshme dhe futbolli të përparojë dukshëm”, tha ndër të tjera Ademi.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat