Drita “ëndërron” grupet

Futboll

Drita “ëndërron” grupet

Më: 23 shtator 2020 Në ora: 00:03
Drita “ëndërron” grupet

Një javë më parë në Shkup, Drita ndriçoi për futbollin e klubeve të Kosovës dhe të shqiptarisë duke mundur me një 0-2 të pastër Sileksin e Maqedonisë së Veriut. Brenda më pak se një gjysmëdekade, Kosova e futbollit e bëri golin e saj duke arritur një rezultat historik me kampione që preku fazën e tretë eliminatore të Europa League.

Të enjten sfida do të jetë me Legian e Varshavës, por deri te ajo përballje, emocionet e triumfit të Shkupit mbeten ende të pranishme mes lojtarëve si Kastriot Rexha apo Lum Namani ashtu si shija e një triumfi të rëndësishëm dhe të merituar. Rezultati nuk vjen rastësisht por si pasojë e një një organizimi serioz dhe një plani të mirëfilltë dhe për drejtorin sportiv Valon Zymberi,skuadra po merr frytet e punës së bërë ndër vite.

Ditët e fundit përpara udhëtimit për në Varshavë, Drita vendosi t’i kalojë në kompleksin Tropikal. Rastësi ose jo, suksesi drejt Europianit i Shqipërisë u përgatit këtu, ashtu si dhe arritjet e Skënderbeut në Europë, që në mënyrë ironike kishte zënë fushën ngjitur me Dritën. Grupet e Europa League mbeten një ëndërr, por të ëndërrosh nuk kushton dhe pse barra që kërkohet për ta shndërruar në realitet mund të jetë e madhe.

Të enjten sfida është kundër Legias së Varshavës, një emër i madh, por në futboll kurrë mos thuaj kurrë dhe Rexha por dhe Namani këmbëngulin se në Varshavë, Drita do të bëjë maksimumin për të ndriçuar sërish.

Gjatë kësaj periudhe, sukseset e Dritës përkthehet dhe arritje të futbollit të Kosovës dhe rezultatet e arritura të paktën për në Europë kanë sheshuar dhe ndasitë me Gjilanin, aq sa nuk do të ishte çudi që dhe tifozët e Gjilanit e mbarë Kosovës, ti shikonim të paktën për një mbrëmje të bëjnë tifo për Dritën, siç shpreson dhe Lum Namani.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat