Re të zeza mbi Barcelonën

Futboll

Re të zeza mbi Barcelonën

Më: 25 shtator 2020 Në ora: 14:48
Koeman

Situata te Barcelona është një luftë nervash, e pakuptueshme dhe e paqartë. Duket se emërimi i Kumanit si trajner solli qetësinë, por nuk është kështu. Si në aspektin sportiv dhe në atë institucional, katalanasit i tremben një tjetër momenti delikat. Pas humbjes 2-8 kundër Bajernit filloi një “stuhi” në skuadër dhe pasojat e saj ndoshta nuk kanë përfunduar ende. Episodi i fundit ishte largimi i Luis Suarezit, i cili përçan tifozët katalanas.

Disa prej tyre mendojnë se nuk ishte mirë që të ikte, ndërsa të tjerë e pranojnë këtë vendim. Lajmi i bujshëm nga Spanja lidhet me dyshimet që ka trajneri Ronald Kuman. Ai ka kuptuar se nuk ka mbështetjen e të gjithëve dhe se u përdor për të shpëtuar Bartomeun. Kështu u ka thënë bashkëpunëtorëve më të afërt. Ai mendon se drejtuesit e kanë futur në një situatë jo shumë komode me pjesën tjetër të skuadrës dhe me lojtarët që u larguan. Trajneri holandez e pranoi sfidën për të rindërtuar Barcelonën dhe mori vendime shumë të forta në aspektin sportiv.

Ai telefonoi disa futbollistë dhe u komunikoi faktin që nuk ishin më pjesë e klubit për të ardhmen. Kuman u bë pa dashur “i keq” për të vendosur edhe autoritetin për pjesën tjetër të skuadrës. Por, tani është i shqetësuar dhe nuk e di se si do të ndikohen lojtarët e tjerë, me të cilët do të punojë. Trajneri ndihet disi i braktisur nga presidenti, por edhe nga drejtuesit e tjerë të klubit, të cilët gjithashtu janë në telashe dhe rrezikojnë që të shkarkohen nga mocioni i mosbesimit. Kuman ka filluar të mendojë se skarcimet e futbollistëve duhet t’i bënin drejtuesit dhe jo trajneri.

Kur kanë mbetur dhe pak ditë nga ndeshja e debutimit të tij në kampionat (Barcelona-Vijareal, të dielën 21:00), Kuman ka filluar të dyshojë dhe të futet në mendime. Në publik transmeton optimizëm dhe mendon se e ardhmja e Barcelonës do të jetë e ndritur, por në privat ka filluar të shohë disa re të zeza, të cilat nuk i pëlqejnë aspak. Të shohim se si do të rrjedhin ngjarjet në të ardhmen. Barcelona është si një minë me sahat që mund të shpërthejë nga njëri moment në tjetrin.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat