Tirana kërkon të thyejë tabunë në Zvicër

Futboll

Tirana kërkon të thyejë tabunë në Zvicër

Më: 27 shtator 2020 Në ora: 11:08
Tirana kërkon të thyejë tabunë në Zvicër

Tirana do të thyejë një tabu në Zvicër, gjithmonë nëse ia del të fitojë ndaj Jang Bojsit. Asnjë skuadër shqiptare që ka luajtur deri më sot me një skuadër zvicerane nuk ka mundur të fitojë një ndeshje.

Kështu, në gjashtë përballje të Skënderbeut, Vllaznisë dhe Besës me Jang Bojsin, Thunin dhe Grasshopersin, ekipet shqiptare ia kanë dalë të arrijnë 2 barazime dhe katër humbje. Golavarazhi i përgjithshëm është 4 gola të shënuar dhe 10 të pësuar.

Në Zvicër skuadrat shqiptare nuk ia kanë dalë të marrin qoftë edhe një pikë, por kanë shënuar tri herë nga një gol. Po kështu, ekipet tona kanë luajtur në turet e dyta dhe në grupe. Për çudi, asnjëherë nuk është luajtur për Champions-in, por vetëm në Europa League dhe Kupën Intertoto.

Bastet – Edhe bastet janë kundër Tiranës. Kështu, fitorja e bardhebluve kuotohet 13, barazimi kuotohet 6, ndërsa fitorja e Jang Bojsit 1.18. Realisht, bardheblutë kanë statistikisht shumë pak mundësi për të kaluar zviceranët. Gjithsesi, gjithmonë ka një herë të parë. Për më tepër që tabutë janë bërë për t’u thyer dhe te Tirana besojnë se këtë herë, ndryshe nga Crvena Zvezda, skuadra kryeqytetase do t’ia dalë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat