​FFK u bën thirrje klubeve që t’i respektojnë masat anti Covid-19 ose pezullohen garat

Futboll

​FFK u bën thirrje klubeve që t’i respektojnë masat anti Covid-19 ose pezullohen garat

Më: 27 shtator 2020 Në ora: 14:47
Foto ilustrim

Federata e Futbollit të Kosovës u ka bërë thirrje të gjitha klubeve që të respektojnë me përpikëri rregullat anti Covid-19 sepse në të kundërtën mund të marrin vendim për pezullimin e garave.

FFK ka njoftuar se ata kanë marr vërejtje serioze nga organet kompetente për mosrespektimin e këtij protokolli në disa prej ndeshjeve të zhvilluara deri më tash dhe në rast se një gjë e tillë përsëritet, atëherë do të bëhet pezullimi i aktiviteteve.

FFK gjithashtu ka kërkuar nga të gjithë personat zyrtarë dhe organet e saj që të mos lejojnë fillimin e asnjë ndeshjeje në rast se do të ketë persona të paautorizuar në stadiumet e futbollit.

Njoftimi i plotë nga FFK:

Federata e Futbollit e Kosovës kërkon nga të gjitha klubet që ta respektojnë në mënyrë strikte protokollin dhe masat anti Covid-19, në mënyrë që të mos vjen deri te ndërprerja e aktivitetit. Organet kompetente tashmë i kanë dhënë vërejtje serioze FFK-së për mosrespektimin e këtij protokolli në disa prej ndeshjeve të zhvilluara deri më tash dhe në rast se një gjë e tillë përsëritet, atëherë do të bëhet pezullimi i aktiviteteve.

 Andaj, FFK u bën thirrje të gjitha klubeve që të jenë vigjilente dhe strikte në përmbushjen e të gjitha obligimeve që dalin nga protokolli i institucioneve shëndetësore në luftën kundër Covid-19, derisa kërkon nga të gjithë personat zyrtarë dhe organet e saj që të mos lejojnë fillimin e asnjë ndeshjeje në rast se do të ketë persona të paautorizuar në stadiumet e futbollit.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat