Rashica e tejkalon lëndimin e gjurit, pritet të luajë për Werderin dhe Kosovën

Futboll

Rashica e tejkalon lëndimin e gjurit, pritet të luajë për Werderin dhe Kosovën

Më: 30 shtator 2020 Në ora: 15:33
Milot Rashica

Milot Rashica e ka lënë prapa lëndimin e gjurit dhe duket të jetë i gatshëm për t’u kthyer në fushën e lojës, në kohë për një ndeshje shumë të rëndësishme për Kosovën dhe në një kohë kur e ardhmja e tij në Werder Bremen është e pasigurt.

Për përfaqësuesin e Kosovës është përfolur bujshëm muajin e fundit se do t’i bashkohet Aston Villës në Premierligë, por palët ende nuk kanë arritur ndonjë ujdi për të.

Derisa Rashica ende nuk e di se nëse do ta vazhdojë karrierën në Bundesligë apo larg saj kur kanë mbetur vetëm edhe gjashtë ditë deri në mbyllje të afatit kalimtar të verës, ai pritet të luajë sërish për Werderin në fundjavë.

24-vjeçari pritet të kthehet në fushë për herë të parë për Werderin në sezonin e ri të shtunën kundër Arminia Bielefeld, sipas Clemens Fritz, shefit të Werderit për Futbollin Profesionist dhe Vëzhgimin e Talenteve.

Ylli i lindur në Vushtrri e kaloi tërë muajin jashtë fushës për shkak të një që e pësoi me Kosovën në një ndeshje të Ligës së Kombeve kundër Moldavisë më 4 shtator.

“Them se ai mund të luaj. Ne jemi të kënaqur që ai është kthyer në stërvitje dhe që i mbijetoi shumë mirë lëndimit”, ka thënë Clemens Fritz.

Rashica stërviti të martën me grupin dhe por nuk mori pjesë në ndeshjen stërvitore.

Rikthimi i tij është mese i mirëseardhur për trajnerin e Kosovës Bernard Challandes, kur Kosova udhëton drejt Shkupit më 8 tetor për t’u përballur me Maqedoninë e Veriut në ndeshjen gjysmëfinale të play-off’it për pjesëmarrje në Kampionatin Evropian 2020, i cili mbahet vitin e ardhshëm.

Kosova do të përballej me fituesin e gjysmëfinales tjetër mes Bjellorusisë dhe Gjeorgjisë në një ndeshje finale, në rast se e mund shtetin fqinj të enjten e ardhshme.

Fituesi kësaj finaleje do ta sigurojë një vend në fazën e grupeve në Euro 2020, që për dardanët do të ishte hera e parë dhe historike. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat