Everton-Liverpool, derbi i madh në Premier League

Futboll

Everton-Liverpool, derbi i madh në Premier League

Më: 17 tetor 2020 Në ora: 11:19
Everton-Liverpool, derbi i madh në Premier League

1989. Ishte viti kur Evertoni vinte për herë të fundit në derbin e Mersejsajdit në krye të klasifikimit, por ndërsa gjithçka shkonte mirë në “Goodison Park”, Anglia ishte e trazuar. Stafet e ambulancave ishn në grevë, ekonomia po i drejtohej një recesioni të thellë dhe kryeministrja ishte në telashe brenda partisë së saj.

Po sot? Me Liverpulin, një nga vendet me masa të kufizuara prej Koronavirusit, është e vështirë që ta ndash futbollin si një mjet gëzimi, veçanërisht me “Goodison Park”-un që sot do të jetë bosh. Por, shpresa është që derbi të jetë një shpërqendrim zbavitës. Këto duhet të jenë kohë të bukura për tifozët e Evertonit. Skuadra e tyre ka bërë një start perfekt dhe Karlo Ançeloti duket se ka ndërtuar një skuadër me baza. Testet më të vështira nuk kanë ardhur ende.

“Goodison Park” do të vizitohet në javët e ardhshme nga ekipet më të forta, duke nisur sot nga rivalët e Liverpulit, të cilët duhet të përgjigjen në apel pas humbjes 7-2 me Aston Vilën. Pritet një reagim pozitiv nga kampionët dhe nëse luajnë siç ata dinë të luajnë, pritet ta dërgojnë serinë e ndeshjeve pa humbje kundër rivalëve në 23.

Por, Klop nuk vjen sot në pozitat e një skuadre dukshëm favorite, edhe pse Evertoni këtë të shtunë mbush 10 vite nga hera e fundit që e ka fituar derbin. Nëse ndodh sërish, në qytet do të nisin zërat e parë për një tjetër “Lestër”. Dhe duke qenë një skuadër që nuk do të luajë në Europë këtë sezon, blutë mund të ëndërrojnë.

KLOP – Tekniku i “Reds”- ave e shikon si një sfidë të vështirë. “Ata bënë  të mirë dhe Karlo është një trajner i shkëlqyer. Ishte e qartë se nëse do t’i jepej koha dhe burimet për të ndërtuar diçka, atëherë ai do ta bënte dhe e ka bërë. Skuadra e Evertonit duket shumë mirë. Do të doja të thosha diçka ndryshe, por nuk është e mundur.

Sigurisht që është një sfidë e vërtetë. Shumë skuadra kanë bërë merkato të mirë dhe janë përmirësuar të gjitha. Ne e dimë këtë, prandaj duhet të jemi gati në çdo ndeshje. Do të jemi gati për këtë derbi të vështirë”, tha Jyrgen Klop gjatë konferencës së djeshme.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat