Sassuolo fiton derbin me përmbysje

Futboll

Sassuolo fiton derbin me përmbysje

Më: 18 tetor 2020 Në ora: 14:38
Sassuolo fiton derbin me përmbysje

Sassuolo konfirmohet sërish si një nga skuadrat më të konsoliduara në kampionatin italian, pasi mesditën e sotme ia doli të fitojë derbin e Emiglia Romagna-s ndaj Bolognës, me një përmbysje spektakolare në shifrat 3-4.

Skuadra e Mihajlovic vinte pas dy humbjesh e një fitoreje në tre javët e para dhe kërkonte rikthimin te suksesi, por ndaj Sassuolos luajti vetëm për 50 minuta, pasi festoi para kohe dhe pa t’i ikte fitorja nga duart.

Kuqeblutë zhbllokuan sfidën me anë të mesfushorit Roberto Soriano, pas një aksioni mjaft të bukur e me shumë pasime, ndërsa në minutën e 18’ ishte Domenico Berardi që riktheu baraspeshën me një gjuajtje perfekte nga distanca.

Pjesa e parë u mbyll me avantazhin e Bolognës, që shënoi në minutën e 39’ me anë të Svanberg, ndërsa në fillim të pjesës së dytë ishte Orsolini që shënoi në portën e Consiglit dhe çoi rezultatin 3-1.

Por kur dukej se Bologna do të rikthehej te fitorja, Sassuolo nuk e kishte thënë ende fjalën e saj, pasi rihapi ndeshjen në minutën e 64-t me anë të serbit Djuricic dhe barazoi shifrat në minutën e 70’ me anë të sulmuesit veteran Francesco Caputo, i cili vijon të shënojë rregullisht.

Përmbysja u kompletua në minutën e 77’, kur pas një aksioni nga krahu, japonezi i Bolognës, Tomiyasu devijoi në mënyrë të pafat topin në rrjetën e portës së tij dhe i dha avantazhin 3-4 Sassuolos.

Rezultati mbeti i pandryshuar deri në vërshëllimën finale të arbitrit, ndërsa me këtë sukses Sassuolo u ngjit në vendin e dytë me 10 pikë në 4 javë, vetëm dy pikë më pak se Milani kryesues. Nga ana tjetër Bologna vijon të zhgënjejë, pasi ka marrë vetëm 3 pikë në 4 ndeshjet e para.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat