Pjanic s’ka vend në 11-shen startuese të Barcelonës

Futboll

Pjanic s’ka vend në 11-shen startuese të Barcelonës

Më: 19 tetor 2020 Në ora: 19:18
Miralem Pjanic

Miralem Pjanic ishte blerja më e bujshme e Barcelonës gjatë merkatos së kësaj vere, por mesfushori boshnjak ka luajtur vetëm 27 minuta në 4 ndeshjet e para sezonale të katalanëve.

Kjo pasi forma e Pjanic nuk është aspak në nivelet e pritura dhe burime pranë klubit spanjoll bëjnë me dije se mesfushori po punon shumë për të përmirësuar kondicionin e tij fizik, që është dukshëm më i ulët se i shokëve të ekipit.

Futbollisti u ble nga Juventusi për një operacion që e kaloi shifrën e 50 milionë eurove, por deri tani duket se trajneri Koeman nuk e sheh si një alternativë të vlefshme për rreshtimin 4-2-3-1 që po aplikon te Barcelona.

Kjo pasi për trajnerin holandez është më i vlefshëm De Jong, ndërsa Busquets është i domosdoshëm për të siguruar ekuilibrin takti të skuadrës, ndaj edhe shanset për Pjanic në fushë kanë qenë me pikatore.

Megjithatë në sfidën e mesjavës ndaj Ferencvaroshit në Ligën e Kampionëve, mesfushori boshnjak pritet të marrë një fanellë titullari, të cilën do të duhet ta djersijë shumë për të bindur trajnerin Koeman se mund të jetë pjesë e rëndësishme e formacionit katalan.

Nga ana tjetër drejtuesit e klubit po monitorojnë me vëmendje situatën e Pjanic dhe nëse nuk do të ketë zhvillime pozitive, atëherë do të provojnë t’i gjejnë një sistemim tjetër që në janar, duke qenë se adhuruesit e boshnjakut nuk mungojnë, me PSG-ne e Manchester City-n që janë gati ta “rrëmbejnë”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat