Duka në Universitetin e Sporteve: Bashkëpunim për të siguruar të ardhmen e futbollit shqiptar

Futboll

Duka në Universitetin e Sporteve: Bashkëpunim për të siguruar të ardhmen e futbollit shqiptar

Më: 20 tetor 2020 Në ora: 11:48
Duka në Universitetin e Sporteve: Bashkëpunim për të siguruar të ardhmen e futbollit shqiptar

Presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka i shoqëruar edhe nga Sekretari i Përgjithshëm, Ilir Shulku zhvilluan sot një takim me Rektorin e Universitetit të Sporteve të Tiranës, Agron Kasa.

Gjatë këtij takimi Presidenti Duka diskutoi me Rektorin Kasa për fushat e bashkëpunimit mes dy institucioneve për t’i shërbyer sa më mirë edukimit sportiv dhe profesioneve që i shërbejnë futbollit. Kreu i qeverisë së futbollit shqiptar u shpreh i hapur për të dhënë eksperiencën e Federatës përmes ekspertëve të saj në të mirë të futbollit dhe sportit, ndërkohë që në takim u fol edhe për mundësinë e krijimit të programeve mësimore për të përgatitur specialistë në fushën e përgatitjes fizike, videoanalistit apo specialistë të tjerë që i duhen skuadrave dhe futbollit modern sot.

Nga ana e tij rektori i UST-së, Kasa, falënderoi Presidenti Duka për vizitën dhe u shpreh i gatshëm për të hartuar një marrëveshje bashkëpunimi me Federatën Shqiptare të Futbollit në lidhje me programin akademik dhe jo vetëm me qëllim për të rritur nivelin e sportit shqiptar.

Në përfundim të takimit Presidenti Duka dhe rektori Kasa dhanë një prononcim për mediat, ku folën për detajet e takimit dhe mundësitë konkrete të bashkëpunimit institucional. Në fillim ishte Presidenti Duka, ai që iu përgjigj interesit të gazetarëve.

“Dua të falënderoj rektorin që organizoi këtë vizitë sot. Bashkëpunimi patjetër që është i domosdoshëm jo vetëm me Universitetin e Sporteve, por me çdo institucion tjetër edukimi sportiv apo edukimi të profesioneve që i shërbejnë futbollit. Ne kemi interes për këtë lloj bashkëpunimi, për të siguruar të ardhmen e futbollit. E ardhmja e futbollit nuk janë vetëm fëmijët që do të luajnë futboll por e ardhmja e futbollit janë edhe specialistët të cilët do ta drejtojnë futbollin.

Dhe ne në bashkëpunim me profesor Agron Kasën, të cilin edhe e urova sot për detyrën e rë të rektorit dhe kam besim që do ta kryejë me shumë sukses dhe do ta ndihmojë universitetin dhe sportin në përgjithësi. Në bashkëpunim me të do të organizojmë disa kurse jo thjesht spontane por duke e futur në kurrikulat e shkollës dhe master për të përgatitur specialitete siç janë preparatori fizik futbollit, video-analisti i futbollit apo siç janë edhe shumë specialist të tjerë që i duhen skuadrave apo futbollit modern sot”, – tha Presidenti Duka.

I pyetur nëse shteti po e ndihmon futbollin, kreu i qeverisë së futbollit u përgjigj: “Në fakt politika në Shqipëri nuk e ka pasur ndonjëherë prioritet, jo vetëm futbollin, por asnjë lloj sporti. Përkundrazi, politika në Shqipëri e ka shfrytëzuar në një rezultat të përgatitur strategjikisht apo spontan të sportit qoftë edhe të një shahisti individ apo të një ngritësi peshe. Por nuk ka pasur një strategji për ta ndihmuar atë, nuk ka pasur një institucion të mirëfilltë, nuk ka politika të mirëfillta. Ajo që kërkon sot bota e sportit, jo vetëm Liga Profesioniste, është një strategji, një politikë shtetërore për zhvillimin e sportit. Dhe një nga themelet, pa dyshim që janë financat dhe Ligji i Sponsorizimeve do ishte një hap, një dritë jeshile për të thënë që vërtetë ne do fillojmë të mendojmë. Nuk është se Ligji i Sponsorizimeve do na bëjë kampionë Europe”, shtoi presidenti Duka, duke u ndalur edhe te çështja e krijimit të terreneve të reja sportive.

“Për fushën, i kam thënë edhe rektorit se politika jonë është që ne të shtojmë inventarin e fushave, jo vetëm këtu në Universitet ku jemi sot por në çdo vend tjetër. Kushdo institucion që krijon një fushë të re, ne jemi gati të investojmë. Këtë i kam thënë edhe rektorit sot, do ta konsideroja si nder tëndin për futbollin, duke shfrytëzuar pushtetin tënd në marrëdhënie dhe me kryebashkiakun Veliaj, që të të vërë në dispozicion një tokë dhe ne ta financojmë, të bëjmë një fushë të re futbolli. Kjo që është ekzistuese është kollaj të rinovohet, ne na duhen inventare fushash futbolli. Me këto inventare e kemi të vështirë që të arrijmë aty ku duhet të arrijmë”, theksoi kreu i qeverisë së futbollit.

Ndërsa, Rektori i UST, Agron Kasa në prononcimin e tij për mediat u shpreh: “Presidenti Duka më konfirmoi që prej 15 vjetësh, sot është hera e parë që Presidenti i FSHF vjen në Universitetin e Sporteve. Sinqerisht ndjehem i lumtur dhe në emër të institucionit që përfaqësoj dua që të falenderoj z.Duka që ka ardhur me ide të qarta ku na ka krijuar mundësinë që pas gjithë këtyre viteve, ku Universiteti i Sporteve të involvohet në të gjithë proceset e sportit elitar dhe për më tepër në futboll. Ashtu sikurse shpjegoi edhe Presidenti Duka ne që tani fillojmë përgatitjen e një masteri profesional për preparator fizik, e cila siç u diskutua, është një treg i madh që pret specialist. Dhe më mirë se sa në Universitetin e Sporteve nuk mund të ketë një vend tjetër për t’i përgatitur me një proces akademik të plotë. Do të jetë një bashkëpunim i frytshëm, jo vetëm në këtë çështje por edhe në shumë çështje të tjera që do të konkretizohen me një akt-marrëveshje në një të afërme të shpejtë, ku Universiteti i Sporteve do fillojë bashkëpunime konkrete me FSHF. E falenderoj Z.Duka për këtë prezencë dhe për çdo mundësi që na ka krijuar për një bashkëpunim ku sporti, jo vetëm futbolli, por të gjithë disiplinat e tjera të kalojnë në një nivel tjetër bashkëpunimi. Të gjithë faktorët ka ardhur momenti që të bashkohen dhe të punojmë bashkarisht me një ide të qartë, që të rrisim nivelin e sportit shqiptar”, tha Kasa, teksa foli edhe për infrastrukturën sportive të kampusit universitar.

“Kjo është një nga çështjet që kemi diskutuar. Kemi një mirëkuptim, nuk mund të them premtim. Kemi një mirëkuptim të plotë me presidentin dhe do të shikojmë mundësinë e bashkëpunimit që ajo fushë të marrë formën që duhet. Faktikisht ne kemi përfunduar projektin, e kemi gati, dhe bëhet fjalë për gjetjen e mundësive të fondeve të investimit dhe objektivi ynë dhe për mua si rektor në këtë 4 vjeçar është që kampusi sportive të kalojë në atë nivel ashtu siç e kërkon koha sot”, – tha Kasa.

Komentet për Kombëtaren – Gjatë prononcimit për mediat, Presidenti Duka komentoi edhe paraqitjet e fundit të Kombëtares shqiptare në Nations League, duke shprehur besimin te stafi teknik dhe te lojtarët e rinj të grumbulluar së fundmi.

“Trajneri do të vazhdojë të përgatisë dy ndeshjet e ardhshme, maksimalisht për të marrë 6 pikë. Pa dyshim që nuk mund të jemi të lumtur me pikët e marra në ndeshjet e para, por nuk mund t’i quaj paraqitje absolutisht negative. Dy ndeshjet në transfertë, në Kazakistan dhe Lituani kanë qenë ndeshje të luajtura më mirë se ajo e Lituanisë. Nuk janë të lehta, por ne jemi të ndërgjegjshëm dhe të përgjegjshëm që sot steka e Shqipërisë është lart dhe ne mërzitemi shumë kur barazojmë jashtë Shqipërie. Dikur lumturoheshim kur humbnim me ndonjë gol diferencë. Duke e parë me këtë lloj objektivi që kërkojmë akoma dhe më shumë dhe meritojmë akoma më shumë për kaq punë sa kemi bërë, në dy ndeshjet e radhës në nëntor ne duhet të sigurojmë vendin e parë.
Lojtarët e rinj? Shumë mirë që janë afruar për të luajtur, sepse Nations League është kompeticioni më i mundshëm ku mund t’i provosh lojtarët e rinj. Tani dihet që ndeshjet miqësore janë shumë pak kështu që Nations League është aktiviteti më i mundshëm ku mund të aktivizohen. Dhe jo vetëm strategjikisht por edhe për arsye të rrethanave, në dy ndeshjet e fundit ishin vërtetë 10 ose më shumë se 10 lojtarë për herë të parë në ekip kombëtar. Të gjithë më kanë pëlqyer dhe mendoj që janë e ardhmja e Shqipërisë. Janë pikërisht ato që do ta dërgojnë Shqipërinë ose do të luajën me kombëtaren shqiptare me objektivin për të qenë në 2024 në Europian”, deklaroi Presidenti i FSHF-së.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat