Klopp: Gjithçka ndodh për një arsye…

Futboll

Klopp: Gjithçka ndodh për një arsye…

Më: 20 tetor 2020 Në ora: 12:00
Klopp: Gjithçka ndodh për një arsye…

Jyrgen Klop i ka dhënë mbështetjen e tij Virxhil Van Dajkut pas dëmtimit të rëndë në gju, i cili mund t’i kushtojë sezonin mbrojtësit të Liverpulit. Ndërhyrja e Pikfordit në minutën e 6-të në derbin me Evertonin të shtunën i dëmtoi ligamentin e kruçatës holandezit, i cili pas operacionit rrezikon të qëndrojë 7-8 muaj jashtë.

Trajneri gjerman tani do të duhet të plotësojë boshllëkun e lënë nga 29-vjeçari. “Pak gjëra janë të qarta. Tani për tani ne dimë që ai do të qëndrojë jashtë për pak kohë, kjo është e sigurt. Ne nuk duam të vendosim limite kohore, sepse çdo futbollist i ka të ndryshme kohët e riaftësimit dhe këto afate të mundshme janë gjithnjë për ‘X’ apo ‘Y’ lojtar, por Virxhil është Virxhil dhe ne nuk duam të vendosim afate për të.

Megjithatë, ai do të qëndrojë jashtë për një kohë goxha të gjatë dhe kjo është situata. Këtë dimë deri tani. Unë e prisja pak a shumë që të shtunën një gjë të tillë, veçanërisht pasi pashë ritransmetimin pamjeve. E pashë që nga stoli, por pasi e ripashë, isha shumë i sigurt se ai do të mungonte për një kohë të gjatë. Neve na vjen shumë keq për të në këto momente, sepse shumica prej nesh kanë qenë në një situatë të ngjashme dhe e dimë se sa e rëndë është.

Por Van Dajk do ta kalojë atë 100%. Sot është dita e parë e nisjes së riaftësimit. Ne do ta presim si një grua e mirë, e cila pret bashkëshortin kur ai është në burg”, tha për sajtin e klubit Klop. Mesazhi i trajnerit erdhi pasi Van Dajk premtoi përmes një reagimi në rrjetet sociale se ai do të rikthehet më i fortë: “Jam totalisht i përqendruar te riaftësimi im dhe do të bëj gjithçka për t’u kthyer sa më shpejt që të jetë e mundur.

Pavarësisht zhgënjimit, unë jam një optimist i vendosur se brenda vështirësisë ekziston mundësia dhe me ndihmën e Zotit unë do të rikthehem më i fortë sesa më parë. Në futboll, ashtu si në jetë, besoj se gjithçka ndodh për një arsye dhe është e rëndësishme që të ruash qetësinë kur prek majat dhe fundin. Me mbështetjen e gruas, fëmijëve, familjes dhe kujtdo te Liverpuli, unë jam gati për sfidën që kam përpara”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat