Të jesh pjesë e Gjeneratës së sakrificës, Gjeneratës së Republikës në vitet e 90-ta (1991-1999), ka qenë më shumë se krenari! Ta luftosh pushtuesin serb ka qenë më shumë se trimëri!
Sportistët shqiptarë të Kosovës, të gjithë u bënë një zë dhe i thanë jo garave me klubet ish jugosllave dhe të Serbisë.
Pushtuesi serb nervozohet dhe kishte marrë ofensivë të paparë, duke uzurpuar stadiumet dhe palestrat sportive, kishte dëbuar nga aty sportistët shqiptarë.
Eroll Salihu i takon Gjeneratës së Republikës. Djaloshi thatanik i saj kohe, një sulmues i spikatur, futet në histori, shënuesi i parë i kampionatit të pavarur të Kosovës, goli i tij është zyrtarisht i regjistruar në FFK.
Salihu shënoi gol për Prishtinën por që e kishin humbur sfidën e parë me rezultat 3:2 nga Flamurtari pikërisht me 13 shtator.
Ai në minutën e 17-të shënoi golin e parë dhe që sot shënohet me shkronja të arta, të historisë më të lavdishme të futbollin tonë.
Salihu ka qenë halë në sy për regjimin serb dhe i kërcënuar vazhdimisht! Djaloshi flokëverdhur i asaj kohe, nuk e ka ça kokën për kërcënime, por i ka grah punës si lojtar me mijëra sportistë, duke kontribuar për zhvillimin e garave të Republikës. Salihu së bashku me një armatë sportistësh sakrifikuan çdo gjë, edhe jetën, vetëm e vetëm për të mbijetuar futbolli dhe sporti në përgjithësi.
Ai është krenar që i rezistuan fuqishëm agresorit serb, që luajtën në fusha me baltë e me pluhur dhe të improvizuara, duke e mbajtur gjallë futbollin dhe sportin në përgjithësi, i shërbyen shtetit të Kosovës si heronj të sportit.
Salihu sot është sekretar i përgjithshëm i FFK-së, edhe sikur sot të vdiste, asgjë nuk do t’i mbetej merak, vetëm që i sheh djemtë dhe vajzat tona duke lozur të lirë në shtetin e Kosovës, duke garuar edhe në rrafshin ndërkombëtar.