Gjyqtari i Crotone-Juventus dërgohet në Serinë B

Futboll

Gjyqtari i Crotone-Juventus dërgohet në Serinë B

Më: 20 tetor 2020 Në ora: 23:12
Gjyqtari i Crotone-Juventus dërgohet në Serinë B

Arbitri 36-vjeçar i Kolegjiumit të Romës, Francesco Fourneau ishte “në qendër të ciklonit” pas ndeshjes Crotone-Juventus, që përfundoi në barazimin 1-1, pasi bardhezinjtë kritikuan ashpër vendimet e tij.

Fillimisht një penallti e akorduar për Crotonen, më pas një karton i kuq në debutim për Federico Chiesën dhe në fund një gol i anuluar nga VAR për një pozicion jashtë loje milimetrik të Moratës, bënë që të reagonte edhe drejtuesi i bardhezinjve Fabio Paratici.

Ky i fundit zbriti në pankinë në minutën e 82-të të sfidës dhe nuk i kurseu kritikat ndaj Fourneau, ndërsa për këtë veprim u gjobit edhe nga Gjykata Sportive në Itali, por një farë ndëshkimi duket se ka marrë edhe arbitri 36-vjeçar.

Kjo pasi nesër në mbrëmje Fourneau do të jetë arbitër i katërt në një ndeshje të Serisë B, por menjëherë pas daljes së lajmit, reagimi i tifozëve në rrjetet sociale ishte shumë i ashpër, pasi e cilësuan këtë si një ndëshkim që “u prishi mbrëmjen bardhezinjve”.

Pikërisht për këtë arsye u desh një reagim zyrtar edhe i Dhomës së Arbitrave në Itali, që saktësoi se këtë sezon arbitrat e Serisë A dhe të Serisë B janë në të njëjtin grup dhe do të përzgjidhen sipas rastit.

Ata hodhën poshtë aludimet se bëhet fjalë për një ndëshkim të Fourneau dhe theksuan se besojnë shumë te arbitri 36-vjeçar, i cili do të arbitrojë në Serinë A ndoshta duke nisur nga kjo fundjavë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat