Barella: Britma ime e gëzimit u mbyt vetëm për faktin se ishte goli i barazimit

Futboll

Barella: Britma ime e gëzimit u mbyt vetëm për faktin se ishte goli i barazimit

Më: 21 tetor 2020 Në ora: 15:04
Barella: Britma ime e gëzimit u mbyt vetëm për faktin se ishte goli i barazimit

Nicolo Barella është një nga futbollistët më në formë të momentit, pasi po shkëlqen me performancat e tij si te Interi, ashtu edhe te Kombëtarja Italiane, teksa përveç kilometrave të pafund e dyluftimeve të fituara, nuk ngurron të marrë pjesë edhe në manovrën sulmuese, duke kontribuuar me gola e asiste.

Mesfushori 23-vjeçar është përzgjedhur nga sajti zyrtar i UEFA-s për të dhënë një intervistë në prag të ndeshjes së parë të Interit në këtë edicion të grupeve të Ligës së Kampionëve, mbrëmjen e sotme ndaj gjermanëve të Borussia Monchengladbach.

I transferuar te Interi verën e kaluar, Barella debutoi në Ligën e Kampionëve pikërisht në përballjen e parë në grup përballë Slavias së Pragës, ku erdhi nga stoli dhe shënoi golin që shmangu humbjen e zikaltërve.

"Ishte një moment emocionues, pasi isha në pankinë dhe nuk besoja as që do të luaja, jo më të shënoja. Mendoj se britma ime e gëzimit u mbyt vetëm për faktin se ishte goli i barazimit, jo i fitores", tregon Barella.

Sezonin e kaluar zikaltërit u paraqitën mjaft mirë në fazën e grupeve dhe u përballën denjësisht me emra si Barcelona e Borussia Dortmund, por në fund nuk ia dolën të kualifikohen për në fazën e 1/8-ave, megjithatë Barella e pranon se skuadrës i mungonte eksperienca.

"Ishte viti i parë i një rrugëtimi që kemi nisur së bashku dhe natyrisht që na mungonte disi eksperienca. Kemi zhvilluar ndeshje mjaft të mira ndaj Barcelonës e Borussias së Dortmundit, por kemi humbur në transfertë dhe për fat të keq u eliminuam.

Nga sezoni i kaluar kemi mësuar se kur luan ndaj kundërshtarëve të tillë, duhet të mësosh të mbyllësh ndeshjet, pasi çdo shpërdorim apo gabim, kushton shtrenjtë. Champions League përfaqëson maksimumin e fubtollit dhe këtë e kupton sapo shkelmon topin e parë. Aty çdo ndeshje është si një finale" shprehet italiani.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat