De Jong: Ta vëmë Messin në punë

Futboll

De Jong: Ta vëmë Messin në punë

Më: 27 tetor 2020 Në ora: 19:01
De Jong: Ta vëmë Messin në punë

Lidhja me Barcelonës dhe holandezëve ka qenë dhe duket se mbetet ende shumë e fortë. Nëse e kaluara ka parë që me bluzën kuqeblu të luajë një perëndi e futbollit si Johan Krojf (më pas fitoi edhe si trajner), në vazhdim futbollistët “portokallinj” kanë qenë me “thasë”, si Raiziger, De Bur, Overmars, Klajvert, Koku, Davids, Van Bomel etj., për të mbërritur sot te Frenki De Jong, shkruan panoramasport.

I cilësuar si talenti më i madh holandez në qarkullim, Barça e bëri 23-vjeçarin të vetin një vit më parë, por nga mesfushori pritet ende që të tregojë atë madhështi që shfaqi me bluzën e Ajaksit, ndonëse me ardhjen e Ronald Kumanit në stol, gjithashtu një ish-ikonë e Barcelonës, gjërat për De Jongun kanë nisur që të ecin shumë më mbarë sesa me Valverden e Setienin. Dhe pikërisht lidhur me ambientimin dhe jetën në Barcelonë, Frenki De Jong ka folur për një intervistë në uebsajtin e UEFA-s.

JETA – “Në Barcelonë bëhet jetë komode. Kalohet super sepse klima është më e mirë sesa në Holandë. Ka plazh, male dhe njerëzit janë shumë të dashur me mua. Jam duke e shijuar jetesën këtu”.

LIDHJA – “Mendoj se raporti mes Holandës dhe Barcelonës është pozitiv. Shumë futbollistë holandezë kanë luajtur te Barcelona. Krojf është më i madhi i të gjitha kohërave që ka mbajtur këtë fanellë dhe ka pasur influencë”.

KËSHILLAT – “Fola me Kumanin në telefon përpara një viti dhe ishte shumë pozitiv kur i thashë që doja të shkoja te Barcelona. Gjithçka që më tha ishte e mirë, por më këshilloi që të bëja kujdes. Nuk duhet të shkoja shumë në restorante, të haja shumë sepse jeta në Barcelonë është shumë e mirë dhe ndonjëherë mendon sikur je me pushime gjatë gjithë vitit. Më tha që futbolli të ishte parësor për mua dhe jo të tjerat”.

KUMAN – “Raporti im me të është shumë i mirë dhe dëshiron gjithmonë që të më lërë në rolin tim. Kur flet e dëgjojnë të gjithë sepse ka shumë autoritet. Nuk di si ta shpjegoj, por e njeh mirë futbollin sepse ka qenë një lojtar i madh”.

PËRMIRËSIM – “Gjithmonë dua të përmirësohem si futbollist dhe si person. Të punosh te Barcelona është një mundësi e artë dhe vetvetiu përmirësohesh”.

POZICIONI – “Mendoj se cilësitë e mia si lojtar lidhen me marrjen e topit dhe qarkullimin dhe lidhjen e mesfushës me repartet e tjera. Dua të jem në qendër të fushës dhe jo më i avancuar. Ndihem më komod përpara mbrojtjes sesa përpara. Në fund të fundit rëndësi ka të luaj, pavarësisht rolit”.

SHOKËT – “Pjaniç është një lojtar i madh. Me topin në këmbë është shumë komod dhe i qetë. Mendoj se e lexon lojën mjaft mirë, ka goditje, pasime të shkurtra dhe të gjata. Jam shumë i lumtur që u transferua te Barcelona.

Mesi? Më i miri në botë. Kur ai është në skuadër je më i qetë sepse mund të bëjë diferencën nga momenti në moment. Për të marrë maksimumin nga ai duhet të jemi ne të tjerët që duhet ta ndihmojmë sepse nëse e vëmë në kushtet ideale që ai të ketë edhe lirshmëri edhe pozicionim ideal në lojë, atëherë është e sigurt se Leo e ka bërë dhe di ta bëjë ende diferencën, qoftë edhe i vetëm. Pikërisht kjo e bën atë pa dyshim futbollistin më të fortë në qarkullim”, u shpreh për UEFA-n 23-vjeçari holandez.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat