Milani barazon rekordin 60-vjeçar

Futboll

Milani barazon rekordin 60-vjeçar

Më: 28 tetor 2020 Në ora: 16:04
Milani barazon rekordin 60-vjeçar

Pas barazimit me Romën, seria e ndeshjeve pa humbje për Milanin arrin në 22 radhazi. Ka qenë një vrapim me pengesa e shumë të papritura, por çifti i çuditshëm Ibrahimoviç-Pioli ka mësuar t’i kalojë së bashku me skuadrën. Suedezi nuk tradhton kurrë dhe pasi frymëzoi shokët në Skoci, vendosi të bënte ligjin në “San Siro” me Xhekon si rival direkt. Dopieta e së hënës mbrëma e bëri golashënuesin më të mirë të Serisë A me gjashtë gola, të cilët kanë ardhur në tri prezenca. I fundit që ia kishte dalë në një mision të tillë ka qenë në vitin 2018 thuajse anonimi Sheik Diabate që luante me Beneventon. Aspak keq për një 39- vjeçar që po tregon me fakte se e meriton rrogën prej 7 milionë eurosh në vit.

“COVID”-i – Sidoqoftë, Milani nuk ka vetëm sulmuesin i cili Romës i ka shënuar 10 herë në 13 përballjet e fundit. Po atë mbrëmje shënoi golin më të shpejtë si milanist në kampionatin italian, ndërkohë që skuadra vjen prej 11 ndeshjesh radhazi ku shënon të paktën dy gola. Ky është një tjetër rekord i arritur nga kuqezinjtë e Piolit, teksa për herë të fundit Milani e kishte regjistruar këtë statistikë në vitin e largët 1959. Nuk i dihet si do të kishin qenë shifrat e numrit 11 kuqezi, nëse nuk do ta kishte frenuar “COVID”-i, por mbetet fakt që ekipi gjen të paktën një gol prej 25 ndeshjesh e diçka e tillë nuk regjistrohej që prej vitit 1973.

Dhjetë lojtarë të ndryshëm kanë shënuar të paktën nga një gol për Milanin deri në këtë moment të Serisë A. Kuqezinjtë janë ekipi me më shumë “bombera” teksa pas tyre vjen Atalanta me 9 dhe Napoli me 7 futbollistë. Këtu meritat e Ibrës janë objektive, sepse, përveç golave, në tri raste ka dhënë pasimin vendimtar në kampionat.

Prania e suedezit ndikon “negativisht” vetëm në moshën e “Djallit”, sepse pavarësisht pranisë së 39-vjeçarit, mosha mesatare e organikës së Milanit është 24.5 vjeç, çka e bën ekipin më të ri në pesë kampionatet më të mëdha në Europë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat