“Premier Liga e Europës, projekti më i mërzitshëm në botë”

Futboll

“Premier Liga e Europës, projekti më i mërzitshëm në botë”

Më: 30 tetor 2020 Në ora: 21:58
Aleksander Ceferin

Ish presidenti i Barcelonës, Josep Maria Bartomeu tha se Barcelona tashmë është pajtuar që t’i bashkohet këtij projekti, por presidenti i futbollit për Europë insiston se kjo është një ide e tmerrshme

Presidenti i UEFA, Aleksander Ceferin ka kritikuar idenë për një Superligë Europiane, duke thënë se “ky është projekti më i mërzitshëm në botë”.

Presidenti në dorëheqje, Josep Maria Bartomeu tha se klubi tashmë ishte pajtuar me propozimin që ata ti bashkohen një lige me top skuadrat e Europës që do ta zëvendësonte Ligën e Kampionëve.

Ideja është duke u kritikuar me të madhe pasi këtë e tha Bartomeu, me UEFA-në që e kundërshton fuqishëm një projekt të tillë, derisa presidenti i FIFA-së, Gianni Infantino tha se ai “nuk është i interesuar të flet”.

Shefi i La Ligas, Javier Tebas ka kritikuar njerëzit pas këtij propozimi, duke thënë se kjo tregon “injorancën totale e organizimit të një gare të veçantë në Europë dhe në futbollin botëror”.

Ceferin i është shtuar zërave të kritikëve për ta kundërshtuar planet për një superligë dhe ka thënë se nuk ka diskutime serioze për këtë gjë.

“Ka një bashkëpunim të fuqishëm në mes neve dhe ligave. Gjëja pozitive në këtë situatë është dialogu dhe solidarizimi me njëri-tjetrin”, ka thënë ai për SportLab, një medie të krijuar nga Corriere dello Sport dhe Tuttosport.

“E ashtuquajtura Super Ligë është një shpikje nga disa klube dhe nga disa media italiane, nuk është propozim i jonë”.

“Do të ishte projekti më i mërzitshëm në botë. Dy apo tri klube kanë biseduar për këtë, të cilat mendojnë se meritojnë më shumë se disa të tjera por që aktualisht fitojnë pak dhe besojnë që do të fitonin më shumë me Super Ligën”.

“Nuk ka diskutime serioze, këto ide do ta vrasin futbollin. Jam fuqishëm kundër Super Ligës dhe ndonjë super kampionati që kryesisht është shpikur nga shtypi italian”.

Trajnerët dhe ish trajnerë po ashtu kanë kundërshtuar idenë e një lige të Europës që do ta zëvendësonte Ligën e Kampionëve.

Ish trajneri i Arsenalit, Arsene Wenger e ka cilësuar këtë si një komplot për ta trajtuar vetën me “superioritet”, derisa trajneri i Liverpool, Jurgen Klopp po ashtu shpreson që kjo “mos të ndodh kurrë”, pasi që nuk do të ishte interesante si Liga e Kampionëve

“Për mua, Liga e Kampionëve është Super Liga, në të cilën ju jo gjithmonë luani kundër skuadrave të njëjta”, tha ai. “Natyrisht, ka rëndësi edhe ekonomike, por pse ne do të duhej ta krijonim një sistem ku Liverpooli do të përballej 10 vite rresht vetëm me Real Madridin? Kush do ta dëshironte këtë gjë çdo vit?”, ka thënë Klopp. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat