“Terminatori” i Ballkanit, Kuç flet për futbollin dhe jetën në Kosovë

Futboll

“Terminatori” i Ballkanit, Kuç flet për futbollin dhe jetën në Kosovë

Më: 30 tetor 2020 Në ora: 22:52
“Terminatori” i Ballkanit, Edvin Kuc

Edvin Kuc është njëri nga futbollistët më të mirë në Superligën e Kosovës për pozitën e tij.

27 vjeçari nga Tuzi i Malit të Zi erdhi te Ballkani në janar të vitit 2019 dhe shumë shpejt mori zemrat ‘Xhebrailave’ për shkak të lojës së bukur që tregonte,.

I përulur dhe shumë i sjellshëm jashtë fushës, derisa brenda vijave një makinë që nuk di të ndalet për 90 minuta.

Vrapime të shumta, ndërhyrje, pasime kyçe, prishje të aksioneve, goditje të bukura drejt portës si dhe asistime fantastike. Këto padyshim e bëjnë Edvinin njërin nga futbollistët më të mirë në pozitën e tij në Kosovë.

Ai ka krijuar një partneritet të frikshëm në mesfushë së bashku me Kushtrim Gashin. Të dy shpesh herë këtë sezon kanë qenë pjesë e formacionit më të mirë të javës në Superligë.

Kuc në një rrëfim ekskluziv ka folur për formën e tij, rinovimin e kontratës, raportet me trajnerin si dhe dëshirën për të jetuar në Kosovë.

“Unë gjithmonë mundohem ta jap maksimumin në stërvitje dhe në ndeshje. Futbolli është një lojë kolektive, dhe shumë gjëra duhet të shkojnë mirë për të qenë të suksesshëm. Ky sukses i imi dhe i skuadrës është nga organizimi i klubit, i cili i takon rangut të klubeve evropiane. Ne të gjithë i jemi mirënjohës presidentit Arsim Kabashi dhe bashkëpunëtorëve të tij,” nis rrëfimin Kuc.

Tutje djaloshi nga Tuzi i Malit të Zi tregoi se si u bind për t’u transferuar te Ballkani duke treguar momentin kur i pari i klubit, Arsim Kabashi kishte shkuar për ta takuar atë në vendlindjen e tij.

“Sinqerisht kur kam rënë në kontakt me njerëzit nga klubi kam qenë skeptik, atëherë kam pasur disa plane të tjera, nuk e kam ndjekur Ligën e Kosovës. Më pas presidenti Arsim Kabashi dhe bashkëpunëtorët e tij erdhën në Malin e Zi dhe pastaj e pashë që këta janë njerëz seriozë, të cilët kanë plane të mëdha. Pas disa ditësh unë erdha në Suharekë me babanë tim dhe u sigurova që gjithçka të ishte ashtu siç kemi biseduar,” shtoi mesfushori i Ballkanit.

Kuc së fundi ka rinovuar kontratën edhe për tre vite me Ballkanin dhe është duke planifikuar që të jetojë në Kosovë.

“Unë e kam zgjatur kontratën time edhe për 3 vite. Nga dita e parë ndihem si në shtëpi, më pëlqen jeta në Kosovë dhe planifikoj të jetoj këtu. Unë do të largohesha nga klubi vetëm nëse ka një ofertë serioze që kënaq klubin dhe mua”.

‘Terminatori’ i Ballkanit ka raporte të shkëlqyer me trajnerin, Ismet Munishin, me të cilin komunikon shpesh në gjuhën malazeze.

“Trajneri flet disa gjuhë, ai komunikon me mua kryesisht në gjuhën malazeze, por unë kam qenë në Kosovë për gati 2 vjet dhe gjuhën shqipe e kuptoj dhe e flas mjaft mirë. Ne të dy kemi një marrëdhënie të shkëlqyeshme. Duhet të theksoj se me ardhjen e tij në krye të skuadrës gjithçka shkoi në mënyrë të përkryer, ai ndryshoi mentalitetin e të gjithë lojtarëve, ai është gjithmonë aty për të gjithë ne”.

Kuc tashmë kupton gjuhën shqipe mirë dhe ka treguar se si komunikon me bashkëlojtarët në fushë.

“Unë më shumë përdori terme të futbollit për t’u kuptuar më lehtë. Fjalët që i them kur jam në fushë janë: Mbrapa, majtas, djathas, vetëm, paso topin”

Në fund Kuc tha se ambicet e klubit janë të mëdha dhe shpreson që në fund të këtij sezoni do të festojnë së bashku me tifozët, ‘Xhebrailat’.

“Ambiciet e klubit janë gjithmonë të mëdha, vitin e kaluar na ka munguar fati për të arritur objektivin tonë. Këtë vit kemi filluar shumë mirë, shpresoj që ta ruajmë këtë ritëm deri në fund dhe më pas të festojmë së bashku me tifozët tanë,” përfundoi Kuc.

Ndryshe, Ballkani është lider i Superligës së Kosovës pas nëntë xhirove me 22 pikë, gjashtë më shumë se Drita që është në vendin e dytë me 16 pikë, por ka dy ndeshje më pak të zhvilluara.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat