Dalot një zbulim për Milanin, Pioli i impresionuar nga paraqitja e “rezervave”

Futboll

Dalot një zbulim për Milanin, Pioli i impresionuar nga paraqitja e “rezervave”

Më: 31 tetor 2020 Në ora: 06:41
Diogo Dalot

Milani vijon të ecë me ritme impresionuese si në kampionat, ashtu edhe në Europa League, ku mbrëmjen e djeshme regjistroi fitoren e dytë në po kaq ndeshje, ndërsa sekretin e formës së mirë e ka zbuluar vetë trajneri Stefano Pioli.

“Fati im i madh është që stërvit një skuadër me shumë titullarë dhe kushto që luan, e bën më së miri punën e tij në fushë. Ndaj Spartës së Pragës lamë pushim disa futbollistë që kishin luajtur shpesh javët e fundit, por të gjithë ata që i zëvendësuan, bënë gjithçka në mënyrë perfekte dhe do të më vështirësojnë zgjedhjet në ndeshjet e ardhshme”, u shpreh trajneri.

Një nga futbollistët që spikati mbrëmjen e djeshme ishte pikërisht portugezi Diogo Dalot, që erdhi në huazim nga Manchester United dhe pasi debutoi një javë më parë në krahun e djathtë të mbrojtjes, mbrëmë mori detyrën të zëvendësojë një nga futbollistët më në formë të kuqezinjve, francezin Theo Hernandez.

Megjithatë 21-vjeçari portugez bëri më së miri punën e tij, pasi përveç garancive në fazën mbrojtëse, dhuroi një asist spektakolar për Leaon në rastin e golit të dytë dhe arriti të shënojë edhe vetë, duke konfirmuar se është jo vetëm një alternativë e vlefshme për pankinën, por edhe një kandidat i fortë për titullar.

Edhe Sandro Tonali po jep shenja rritjeje nga ndeshja në ndeshje dhe trajneri Pioli tani mund të rrijë i qetë, sepse italiani mund të zëvendësojë në fushë si algjerianin Bennacer, ashtu edhe Franck Kessie. Nuk mund të kalojë pa u vënë re as performanca e portugezit Rafael Leao, që pas një sezoni plot dritë-hije, ka filluar të justifikojë investimin e kuqezinjve për kartonin e tij. I aktivizuar shpesh në krah në vendin e Ante Rebic, portugezi ka dhuruar asiste perfekte për Ibrën, ndërsa kur i është dashur të zëvendësoje suedezin, nuk ka ngurruar të dërgojë topin në rrjetë edhe vetë.

Testi i radhës i kuqezinjve do të jetë ditën e diel në orën 12:30 në transfertën friuliane ndaj Udineses, një ndeshje të cilën Milani dëshiron ta fitojë për të ruajtur pozitat në vendin e parë, pasi me këtë performancë, edhe Pioli ka filluar të mendojë për më shumë se një vend në Champions.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat