Tirana në hall para startit të kampionatit

Futboll

Tirana në hall para startit të kampionatit

Më: 31 tetor 2020 Në ora: 11:56
Tirana në hall para startit të kampionatit

Ndonëse kanë dy muaj që përgatiten për startin e sezonit, duket se fundi i bojkotit nuk i gjetiu të gjithë klubet gati, pasi Tirana nuk e ka vendosur ende se ku do të presë Kukësin në sfidën e të mërkurës.

Shorti i këtij sezoni ishte mjaft interesant, pasi goglat përcaktuan përballjen e kampionëve dhe nën kampionëve të sezonit të kaluar që në javën e parë, megjithatë kur jemi vetëm 4 ditë para ndeshjes, ende nuk është caktuar stadiumi.

Kjo pasi dy stadiumet e kryeqytetit, por edhe “Elbasan Arena” janë të mbyllur momentalisht, duke qenë se vjeshta është periudha kur në fushën e këtyre impianteve bëhet mbjellja e barit dhe duhen rreth 3 javë për të rinisur aktivitetin normal në to.

Sfidën e të dielës ndaj Shkumbinit bardheblutë kanë vendosur ta luajnë në “Skënder Halili”, por ky impiant nuk shihet si i përshtatshëm për të pritur një përballje si ajo ndaj Kukësit të mërkurën.

Pikërisht për këtë arsye bardheblutë po mendojnë “shtegtimin” dhe kanë marrë në konsideratë stadiumet e Laçit dhe Korçës për këtë përballje, duke qenë se si kurbinasit ashtu edhe Skënderbeu luajnë në transfertë.

Gjithsesi drejtuesit e klubit bardheblu po negociojnë dhe po shqyrtojnë çdo alternativë të mundshme, ndaj në orët e ardhshme pritet që të caktohet edhe stadiumi që do të presë sfidën më të rëndësishme të javës.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat