"Presidenti i FSHP-së është dënuar për trafiqe në Greqi", Elez Gjoza reagon pas përjashtimit nga gara: Shihemi në gjyq!

Futboll

"Presidenti i FSHP-së është dënuar për trafiqe në Greqi", Elez Gjoza reagon pas përjashtimit nga gara: Shihemi në gjyq!

Më: 31 tetor 2020 Në ora: 19:13
Presidenti i FSHP-së është dënuar për trafiqe në Greqi”, Elez Gjoza reagon pas përjashtimit nga gara: Shihemi në gjyq!

Pas një periudhe 2- vjeçare të qetë në Federatën Shqiptare të Peshëngritjes është rikthyer sërish tensioni e kjo ndodh 2 javë para asamblesë zgjedhore. Komisioni i seleksionimit të kandidaturave ka vendosur të përjashtojë nga gara për president Elez Gjozën. Komisioni bën me dije se ka konstatuar që Gjoza nuk është një kandidaturë në përputhje me kriteret statutore, ndërsa shpjegon se përjashtimi i tij është bërë sepse nuk përmbush kriterin e nenit 12/5/D.

Rezultimi i një numri të lartë shtangistësh me doping, gjatë kohës kur Gjoza ka qenë në krye të FSHP-së, mësohet se ka qenë shkaku që komisioni e ka cilësuar ish-presidentin si një person të papërshtatshëm për të përmbushur kriterin statutor të figurës së pastër morale në fushën e sportit, e për rrjedhojë ka vendosur ta skualifikojë.
Elez gjoza
Kështu, me përjashtimin e Gjozës në garë për president të FSHP-së tashmë mbeten kandidaturat e Eglantina Çunit dhe presidentit aktual Theodhor Masllavica. Komisioni gjithashtu ka shqyrtuar edhe kandidaturat për Këshillin e ri Drejtues, ku nga 11 të tilla janë pranuar 9. Me të njëjtin motivacion si të ish-presidentit Gjoza, janë përjashtuar edhe kandidatët e KD-së, Asim Belinova dhe Kreshnik Leka. Ndërkohë, janë pranuar si kandidatura Arben Qafa, Baftjar Abazaj, Erion Kanxheri, Flamur Isufi, Gerti Karina, Hektor Shaqiri, Klevis Kasa, Odise Moçka dhe Tatjana Marash, ku do të përzgjidhen 6 më të votuarit.

REAGON ELEZ GJOZA
Pas përjashtimit të tij si kandidat për president të FSHP-së, Elez Gjoza ka shpërthyer në akuza, duke e quajtur këtë vendim të jashtëligjshëm. Ish-kreu i shtangës shqiptare sulmon hapur presidentin aktual Theodhor Masllavica dhe drejtuesit e shtangës. Me anë të një deklarate, Gjoza bën të ditur se do t’i drejtohet prokurorisë dhe gjykatës dhe se askush nuk mund ta ndalojë për të kandiduar.

Jo vetëm kaq, por Gjoza është i bindur se do të jetë ai presidenti i ardhshëm i FSHP-së. Ja deklarata e tij e plotë, menjëherë pasi mësoi përjashtimin: “Në asnjë vend të botës nuk mund të përjashtohet një president, sepse dalin atletët pozitiv me doping, pasi përgjegjësia është personale individuale. Dopingu është një fenomen botëror dhe sot që ne flasim vetëm Rusia ka mbi 200 sportistë me doping, ndërsa Pirro Dhima do të kandidojë ndonëse i janë kapur 28 sportistë me doping gjatë presidencës së tij.

FSHP është marrë peng nga firma e presidentit Masllavica. Një njeri që ka ndryshuar emrin nga Alban Kasa në Theodhor Masllavica, sepse është dënuar në Greqi për trafiqe. Për të gjitha këto unë do t’i drejtohem prokurorisë. Ky zotëria aktualisht ka Sokol Bishanakun trajner të ekipit kombëtar, të cilit i janë kapur 5 sportistë me doping. Ka trajner Leonard Toskën dhe anëtarë të kryesisë të birin, të cilëve u janë kanë kapur sportistë me doping. Presidentin e shoqatës së Elbasanit, Endri Karina, të dënuar deri në vitin 2021, të cilit i kanë futur të vëllain në komision vetëm për t’i marrë votën. Ky zotëri nuk përjashton këta, por përjashton legjendën e FSHP-së, Asim Belinovën.

Kjo që është bërë është krejtësisht e jashtëligjshme. Kush janë ata që e kanë emëruar këtë komision? Unë u dorëhoqa vite më parë si gjest moral për t’u dhënë një mesazh të gjithëve, por nuk mund të ma heqë askush të drejtën e kandidimit, sepse jam me moral të pastër. Ky përjashtim është bërë sepse kundërshtari e ka të sigurt humbjen. Mua më votojnë të gjithë si sportistë, sepse kam thyer 32 rekorde kombëtare, ndryshe nga kundërshtari im që nuk ka bërë asnjëherë sport në jetën e tij.

Unë ju bëj me dije se do të kandidoj, sepse ma lejon ligji. Vetëm gjykata mund të më përjashtojë për anën morale. Kështu që, më 14 nëntor zgjidhem president i ardhshëm i FSHP-së. Nuk do lejoj që federata të merret peng nga biznesi i presidentit aktual. Ju bëj me dije se unë së bashku me Asim Belinovën dhe Kreshnik Lekën do ta hedhim në gjyq federatën për këtë veprim të jashtëligjshëm”, deklaron Gjoza.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat