Ronaldo mund të kthehet te Unitedi për shkak të Messit, çfarë thoshte portugezi në vitin 2014

Futboll

Ronaldo mund të kthehet te Unitedi për shkak të Messit, çfarë thoshte portugezi në vitin 2014

Më: 12 nëntor 2020 Në ora: 16:00
Cristiano Ronaldo dhe Lionel Messi

Në ditët e fundit janë intensifikuar spekulimet për mundësinë e largimit të Cristiano Ronaldos nga Juventusi në fund të këtij sezoni.

Edhe pse superylli portugez ka kontratë deri në verën e vitit 2022, është raportuar se ai mund të largohet më herët, pasi që Zonja e Vjetër dëshiron të përfitojë nga shitja e tij, si edhe ta heqë nga lista pagën e majme të 35-vjeçarit.

Që nga publikimi i lajmit nga AS dhe Sport, kanë nisur thashethemet që e lidhin me klube të ndryshme, duke përfshirë Paris Saint-Germainin dhe Manchester Unitedin.

Ronaldo ka luajtur në Old Trafford gjatë viteve 2003-2009 duke fituar tre tituj të Ligës Premier dhe Ligën e Kampionëve. Ai shënoi 118 gola në 292 ndeshje para se t’i bashkohej Real Madridit, ku shkëlqimi i tij shkoi vetëm duke u ngritur.

Nga viti 2018, CR7 luan te Juve (ku paguhet 603.000 euro në javë), ndërsa është spekuluar se Djajtë e Kuq janë favoritë për ta kthyer në Ligën Premier për sezonin 2021/2022.

Gjasat për kthimin e Ronaldos në Teatrin e Ëndrrave shtohen kur kihet parasysh se Lionel Messit i skadon kontrata me Barcelonë në fund të këtij sezoni dhe mund t’i bashkohet Mancheste Cityt në një mega-marrëveshje.

Kështu, sipas El Grafico, portugezi do të dëshironte që të ringjallte rivalitetin me argjentinasin në kampionatin anglez.

“Burimet tona në Mançester dhe Porto konfirmojnë se Manchester Unitedi e ka tunduar Cristiano Ronaldon për një kthim te klubi në sezonin e ardhshëm. Portugezi është duke e shqyrtuar. Juventusi do ta negociojë marrëveshjen nëse Ronaldo e kërkon”, ka thënë gazetari i respektuar i FOX America, Christian Martin.

Për më shumë, ai asnjëherë nuk e ka mohuar faktin se e ka në zemër Unitedin dhe se do të dëshironte të kthehej atje një ditë.

“E dua Manchesterin. Të gjithë e dinë këtë. Manchesteri është në zemrën time. Tifozët janë të mahnitshëm dhe do të dëshiroja të kthehesha një ditë”, kishte thënë Ronaldo në vitin 2014, pesë vjet pasi i ishte bashkuar Realit. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat