Dikur krenari e Kosovës, sot para falimentimit! Ardian Gjini, kush është përgjegjës për këtë punë?

Futboll

Dikur krenari e Kosovës, sot para falimentimit! Ardian Gjini, kush është përgjegjës për këtë punë?

Nga: Kemajl Goca Më: 12 nëntor 2020 Në ora: 18:40
Dikur ky Vëllaznimi ishte krenari e Kosovës

Klubit të futbollit Vëllaznimi nga Gjakova, i ka mbetur vetëm emri i madh, por në realitet është para falimentimit. 
Sot është larguar edhe sponsori Shkëlzen Gashi!

Klubi në situatë të rëndë, para falimentimit. Përmes një komunikate ka paralajmëruar edhe bojkotin e garave!

Dikur jo vetëm qyteti i Gjakovës me rrethinë por e tërë Kosova mburrej me sukseset e Vëllaznimit, sidomos në vitet e 70-ta dhe të 80-ta, suksesin me të madh e ka pasur në vitin 1983-1984 në kohën e trajnerit Ajet Shosholli, kur u renditen në vend të tetë me 33 pikë në Ligën e Dytë të ish Jugosllavisë, grupi i Lindjes. 

Klub që dha emra të mëdhenj, që nga Faruk Domi, Faton Domi, Ardian Kozniku, Kujtim Lleshi, Zenun Brovina, Iljaz Sina, Ibrahim Domi, Avni Juniku, Açif Shehu, Xhelal Kaçi, Bedri Lota, Bujar Roka, Agim Binakaj, Skënder Muhaxhiri, Luan Tabaku etj. sot është në mjerimin më të madh. 

Në vend që ky klub sot të jetë në elitën e futbollit, të luftojë për titullin e kampionit dhe daljen në garat evropiane, sot Gjakova diskuton po shuhet apo jo klubi i madh. 

Ardian Gjini, si kryetar i Komunës së Gjakovës, me drejtoratin e sportit, a jeni në dijeni se çfarë po ngjan me këtë klub? Nëse ky klub falimenton, a është përgjegjësi edhe Komunës, edhe e juaja, edhe e drejtoratit të sportit?

Kush duhet t’i dalë në ndihmë këtij klubi? Ardiani Gjini, ju si i pari i komunës, a keni formulë se si ta nxirrni nga kriza këtë klub apo kush është përgjegjës që e pruri në këtë situatë?

Edhe para pandemisë Vëllaznimi ka qenë në krizë të madhe! Ju e dini më së miri (nëse keni informata)  se si ka ardhur ky klub në këtë derexhe ose siç thonë në popull: “Mos u bëfsh me të kajt Stambolli”. Kështu nuk i ka hije Gjakovës që hiqet si qytet me traditë të sportit.

Nëse shuhet Vëllaznimi, kush duhet të skuqet në qytetin kuqezi? Ardian Gjini, si kryetar i Komunës, duhet të veprojë sa më shpejt që është e mundur dhe ta shpëtojë klubin nga një katastrofë e madhe. Dikur Gjakova vlonte me klube, sot është bërë për ta vajtuar i madh dhe i vogël!

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat