Bojkoti çliron Kupën e Shqipërisë

Futboll

Bojkoti çliron Kupën e Shqipërisë

Më: 13 nëntor 2020 Në ora: 14:45
Bojkoti çliron Kupën e Shqipërisë

Futbolli shqiptar më në fund ka “gjetur” edhe Kupën e Shqipërisë. Ndryshimi i strukturës së kësaj veprimtarie, si rrjedhojë e bojkotit në start të sezonit, ka shtuar rivalitetin, por edhe surprizat.

Turi i dytë i Kupës do të luhet në tri ditë, ku 6 ndeshjet e djeshme dhuruan dy të papritura me protagonistë nga Kategoria e Parë. Korabi eliminoi Tiranën, ndërsa Dinamo mposhti Bylisin, të dyja ndeshjet u vendosen në kuadrin e 120 minutave. Struktura e re e Kupës, ku raundet vendosen me ndeshje teke, si dhe përcaktimi i rrugës me short pas raundit të dytë bën që Kupa e Shqipërisë të çlirohet duke mos krijuar favore që vinin nga formula e përdorur më herët.

Me strukturën e vjetër kishim një pilotim skuadrash, që thuajse pa nisur veprimtaria e shikonin veten të sigurt në gjysmëfinale, pasi federata ua kishte bërë “autostradë”. FSHF me kokëfortësinë e saj për disa sezone e ka mbajtur “peng” këtë kompeticion duke evituar shortin e lirë dhe duke pilotuar disa ekipe deri në gjysmëfinale sipas një skeme të paracaktuar. Falë bojkotit gati dymujor, për të përmbushur kampionatin me 4 faza, federata “sakrifikoi” rrugëtimin e Kupës, por çuditërisht erdhi si risi për zbukurimin e trofeut të dytë në vend.

Me skemën aktuale Kupa e Shqipërisë është bërë më interesante, skuadrat që e kanë prioritet angazhohen në fillim, pasi nëse e nënvleftëson e pëson si Tirana, që dje u eliminua nga Korabi, ngjarje e cila solli edhe shkarkimin e trajnerit të parë në Superiore për këtë edicion të ri futbollistik. Turi i dytë i Kupës kompletohet me ndeshjen e sotme Vllaznia-Elbasani.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat