Figo për Messin

Futboll

Figo për Messin

Më: 15 nëntor 2020 Në ora: 16:36
Figo për Messin

“Kur vendos për t’u larguar patjetër nga një skuadër nuk ka asgjë në botë që të të bëjë për të ndryshuar mendim”. Janë këto fjalët me të cilat komenton situatën aktuale të Lionel Mesit te Barcelona ish-lojtari i famshëm i skuadrës “blaugrana”, Luis Figo. Ish-numri 7 shpjegoi se mbeti vërtet shumë i habitur nga vendimi i “yllit” argjentinas për të qëndruar te klubi katalan, për më tepër pikërisht ai që është shembulli i qartë se në futboll mund të ndodhë gjithçka, sidoqoftë 48-vjeçari portugez i paralajmëron të gjithë për të ardhmen, duke shtuar se do të jetë shumë e vështirë, për të mos thënë e pamundur që “Pleshti” të ketë ndryshuar mendje dhe të vendosë për të qëndruar përfundimisht tek ekipi “blaugrana”.

Për hir të së vërtetës, kur bëhet fjalë për Barçën dhe transferimet më të diskutueshme në historinë e klubit të famshëm nga Katalunja, rastet e para që të vijnë në mendje janë pikërisht shembujt e dy futbollistëve si Neymar dhe Figo. Mes këtyre historive gjithsesi nuk mund të ketë krahasim, pasi Neymar u transferua nga Primera Division në Le Championnat, pra nga Barcelona te Paris SG, ndërsa Luis Figo në krahun tjetër u zhvendos brenda për brenda kampionatit spanjoll, për më tepër duke kaluar nga llogoret e skuadrës “blaugrana” tek armiqtë e përbetuar të Realit të Madridit. Mbi të gjitha ish-lojtari i famshëm portugez qëndroi te “Los Blancos” për një periudhë 5-vjeçare, pra po për aq kohë sa ç’mbajti veshur edhe fanellën e Barcelonës. Natyrisht tradhtia e Luis Figos për të kaluar direkt nga “Camp Nou” në “Santiago Bernabeu” nuk do të harrohet kurrë, për më tepër edhe pasi ndodhi kjo, në vazhdim futbollisti portugez është treguar përherë më i afërt me Realin se sa me Barçën.

Në një intervistë për të përditshmen e mirënjohur spanjolle Marca ish-futbollisti luzitan deklaroi se e përjetoi situatën e Mesit dhe mundësinë e tij për t’u larguar nga Barcelona njësoj si çdo tifoz tjetër i këtij sporti, i çuditur dhe plot pritshmëri në lidhje me atë çfarë mund të ndodhte. Sipas Luis Figos Leo sigurisht ka patur arsyet e tij të forta për të marrë një vendim të tillë, megjithatë 48-vjeçari shtoi se askush nuk është në gjendje për të folur me siguri mbi atë që ka ndodhur më herët dhe bisedën që është bërë mes 33-vjeçarit nga Rosario dhe krerëve të klubit “blaugrana”. Pra Figo lë të kuptohet se pak a shumë është përsëritur po e njëjta histori, si ajo e përplasjes së tij me drejtuesit e klubit katalan, apo qoftë edhe dëshirës së vetë lojtarit luzitan për t’u larguar nga skuadra e Barcelonës.

Pavarësisht dorëheqjes së Josep Maria Bartomeu-t, presidentit të 40-të në historinë e klubit, që të gjithë janë “me gjak të ngrirë”, sepse siç dihet në fund të sezonit gjithmonë mbetet në fuqi një klauzolë e veçantë dhe një kontratë, që nëse nuk rinovohet përfundon pikërisht në muajin qershor. Që të gjithë do të luteshin për të patur në ekip një futbollist si Mesi, por është e qartë që gjithçka do të varet nga gjendja finaciare e klubeve të interesuar apo dhe vetë dëshira e kapitenit të Barçës, sidoqoftë Luis Figo e shikon si shumë të ndërlikuar mundësinë që Mesi të vazhdojë të qëndrojë në radhët e Barcelonës edhe pas këtij sezoni.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat