Spanja dhe Gjermania diskutojnë kreun, Kroacia kërkon mbijetesën ndaj Portugalisë

Futboll

Spanja dhe Gjermania diskutojnë kreun, Kroacia kërkon mbijetesën ndaj Portugalisë

Më: 17 nëntor 2020 Në ora: 07:46
Spanja dhe Gjermania diskutojnë kreun, Kroacia kërkon mbijetesën ndaj Portugalisë

10 javë pas barazimit në takimin hapës Spanja dhe Gjermania do të përballen sërish, këtë herë në Sevilje në orën 20:45 për të mbyllur përfundimisht llogaritë e grupit të katërt, në divizionin elitar të Ligës së Kombeve. Gjërat shkuan pak a shumë ashtu siç edhe priteshin, sepse duke parë përbërjen e këtij grupi dy skuadrat përfaqësuese favorite që në momentin e hedhjes së shortit ishin pikërisht Spanja dhe Gjermania. Dy muaj e gjysmë më parë në stadiumin “Mercedes – Benz – Arena” të Shtutgartit dy ekipet zhvilluan një ndeshje të barabartë pothuajse në të gjitha aspektet, me përjashtim të mbajtjes së topit.

“La furia roja” shquhet ndjeshëm në këtë drejtim, megjithatë golin e pësuar në fillimin e pjesës së dytë nga Timo Werner skuadra e drejtuar nga trajneri Luis Enrique arriti ta barazojë vetëm në fund të takimit, falë mbrojtësit të Valencias Jose Luis Gaya, që shënoi pikërisht në 96’ të ndeshjes. Si Spanja ashtu edhe Gjermania kërkojnë të hedhin pas krahëve zhgënjimin që provuan në edicionin hapës të Ligës së Kombeve, ku “La Roja” pasi dështoi për të thyer Kroacinë në Zagreb u shtang nga përmbysja e madhe e Anglisë tre ditë më vonë në “Wembley”, pikërisht ndaj nënkampionëve të botës.

Në krahun tjetër “panzer”-at e mbyllën aventurën e tyre në edicionin hapës të UEFA Nations League thjesht me dy barazime gjithsej, një me Francën në ndeshjen hapëse dhe tjetrin me Holandën në shtëpi në takimin përmbyllës, duke u renditur në përfundim në shkallën më të ulët, të tabelës së klasifikimit. Historia dihet qeveria e futbollit në Kontinentin e Vjetër shtoi numrin e skuadrave përfaqësuese nga tre në katër në divizionin më të rëndësishëm evropian dhe nga kjo gjë përfitoi pikërisht “mannschaft”-i, që tani ndodhet në pozita vërtet shumë të mira për të siguruar edhe kualifikimin për në fazën gjysmëfinale.

Vitin e kaluar në vendin luzitan rivalizuan për trofeun Portugalia, Zvicra, Holanda dhe Anglia, ndërsa këtë radhë faza finale me shumë gjasa do të zhvillohet në Itali, vitin e ardhshëm nga data 6 deri më 10 tetor, në Qytetet e Milanos dhe Torinos. Deri tani për në Final Four janë kualifikuar kampionët në fuqi të botës, pra Franca dhe shumë pranë janë gjithashtu edhe Italia me Belgjikën. Në Grupin e Katërt të Divizionit Elitar situata është e qartë dhe përfaqësuesja e Ukrainës është krejtësisht e pashpresë, pasi ka një bilanc negativ në përballjet direkte me Spanjën. Aktualisht ekipi i drejtuar nga trajneri Joachim Low kryeson grupin në kuotën e 9 pikëve, ndërsa Spanja ndjek me thjesht një pikë më pak.

Në pjesën e poshtme verdheblutë numërojnë 6 pikë, ndërsa Zvicra mbyll grupin me vetëm 3 pikë, sidoqoftë këto dy vende do të përballen në Lucernë, ku përfaqësuesja helvete duhet të kalojë shifrat 2-1 me të cilat u mund në Ukrainë, për të evituar rënien një kategori më poshtë. Gjermania e filloi qetë edicionin e dytë të Ligës së Kombeve me dy barazime identike 1-1 në sfidat me Spanjën dhe Zvicrën, gjithsesi skuadra e drejtuar nga trajneri Joachim Low përfitoi në maksimum nga dy gabimet e fundit të Spanjës, për të marrë kryesimin. 60-vjeçari nga Baden Wurttemberg-u nuk do të ketë në dispozicion për ndeshjen më të rëndësishme emra të tillë si Kimmich, Gosens, Schulz, Hofmann, Halstenberg dhe Kehrer, sidoqoftë Gjermanisë i mjaftojnë dy rezultate nga tre, kështu që me një barazim “mannschaft”-i do të priste biletën për në fazën finale të këtij edicioni të dytë, në UEFA Nations League.

Do të ishte vërtet një rezultat i shkëlqyer për “panzer”-at, duke patur parasysh faktin që në Ligën e Kombeve kombëtarja gjermane nuk ia doli për të fituar asnjë nga 6 sfidat e para të këtij kompeticioni. Në klasifikimin e përgjithshëm të FIFA-s Spanja pozicionohet e gjashta, tetë vende më lart krahasuar me Gjermaninë, ndonëse bëhet fjalë për një diferencë fare të vogël, prej vetëm 32 pikësh. Këto gjashtë javë Spanja ka bërë hapa prapa, duke fituar vetëm 1 nga 5 sfidat e fundit, e suksesi i vetëm është regjistruar në Madrid me rezultatin minimal 1-0 ndaj përfaqësueses helvete. Humbja e papritur në Kiev i ndërlikoi ndjeshëm gjërat, ndërsa barazimi i siguruar në fund në “St. Jakob – Park” të Bazelit nuk shërben për asgjë dhe ngjan shumë me një humbje, pasi “la roja” lëshoi kreun e grupit.

50-vjeçari asturian u kritikua ashpër në atdhe, për formacionin e përzgjedhur ndaj Zvicrës, duke e nisur takimin pa sulmues fare. Në fund pavarësisht korrigjimeve dhe 2 penalltive të shpërdoruara nga Sergio Ramos ishte pikërisht një sulmues, Gerard Moreno i Villarreal-it ai që e nxori skuadrën nga balta. Kapiteni në Bazel kaloi portierin legjendar italian Gianluigi Buffon për t’u shndërruar në lojtarin evropian me më shumë takime me ekipin kombëtar dhe tani 34-vjecari andaluzian është vetëm 7 ndeshje larg ish-mesfushorit egjiptian Ahmed Hassan, si futbollisti me më shumë ndeshje me fanellën përfaqësuese në rruzull.

Sergio Ramos kishte humbur vetëm 3 penallti gjithsej në karrierë dhe thjesht 2 me fanellën e përfaqësueses, por nga pika e bardhë mbrojtësi i Realit të Madridit u hipnotizua dy herë nga portieri i Gladbahut Yann Sommer. Spanja luan ndryshe brenda, madje “la furia roja” ka fituar 9 dhe barazuar vetëm 1 nga përballjet në shtëpi me përfaqësueset që pozicionohen në dy divizionet më të rëndësishme të Ligës së Kombeve, për më tepër në 8 nga këto 9 fitore vendasit ia kanë dalë për të zhbllokuar shifrat që në gjysmë orën e parë të takimit.

Trajneri Luis Enrique nuk mund të mbështetet dot te futbollistë të tillë si Sergio Busquets, Jose Luis Gaya, Ansu Fati dhe Jesus Navas. Spanjës i nevojitet patjetër fitorja, sidoqoftë ky mbetet një mision tepër i vështirë duke marrë në konsideratë faktin që disfata e vetme për “mannschaft”-in në 19 sfidat e fundit në të gjithë kompeticionet është humbja 4-2 e pësuar 14 muaj më parë brenda në Hamburg me përfaqësuesen e Holandës. Gjermania kryeson bilancin e përgjithshëm 9-7 me fitore, në 24 përballjet ndërmjet tyre, sidoqoftë fitoren e vetme në dy dekadat e fundit në përballjet mes tyre Gjermania e ka regjistruar në Stadiumin “Balaidos”, në një takim miqësor të luajtur 6 vjet më parë, ku Toni Kroos shënoi golin e vetëm të sfidës në minutën e parafundit të ndeshjes.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat