Zymer Zeqiri - trim dhe veprimtar i shquar në Gjeneratën e Republikës 

Futboll

Zymer Zeqiri - trim dhe veprimtar i shquar në Gjeneratën e Republikës 

Nga: Kemajl Goca Më: 18 nëntor 2020 Në ora: 13:59
Zymer Zeqiri - trim dhe veprimtar i shquar në Gjeneratën e Republikës 

Në muajin gusht të vitit 1991, atmosferë e zymtë, kudo i vinte erë lufte, Kosova e pushtuar nga çizmja kriminale serbe, tensione të mëdha jo vetëm në politikë por edhe në sport!

Sportistët shqiptarë të vendosur si kurrë, të bashkuar, si një ushtri mirë e organizuar, morën vendimin e madh: Jo garave me klubet ish jugosllave dhe të Serbisë, duke e formuar Kampionatin e Republikës së Kosovës. 

Ky vendim i sportistëve shqiptarë bëri jehonë të madhe në të gjitha ish republikat jugosllave të asaj kohe, ndërsa pushtuesi serb egërsohet gjithnjë e më shumë, i dëbon sportistët shqiptarë nga stadiumet dhe palestrat sportive. 

Pa veprimtar dhe donator edhe sporti nuk do të mbijetonte në asnjë rrethanë! Këta ishin kryekomandantët e sportit!

Zymer Zeqiri i takon Gjeneratës së Republikës. Zeqiri nuk ka menduar dy herë, iu bashkua armatës së sportistëve kundër regjimit kriminal serb. 

Zeqiri, përveç si veprimtar i shquar i futbollit, ka qenë edhe trim i madh. 

Ai nuk u ndal asnjëherë, kontribuoi edhe financiarisht dhe ka qenë nënkryetar i KF Prishtina në vitet e 90-ta. 

Ai vraponte skutë e në skutë, shtëpi e në shtëpi, fushë e në fushë me shumë veprimtarë të tjerë, për t’i organizuar garat sa më mirë të Republikës së Kosovës, në anën tjetër ishte gjithnjë në shënjestër të sigurimit shtetëror serb. 

Zeqiri fare nuk mërzitej për kërcënimet e milicisë serbe, por misioni i tij ishte që t’ju siguronte kushte sa më të mira sportistëve për ato rrethana të asaj kohe dhe t’i zhvillonin garat në livadhe dhe fusha të improvizuara.  

Një veprimtar i shquar, burrë i fjalës, i guximshëm dhe krah i fortë jo vetëm i KF Prishtinës por i tërë futbollit të Kosovës. Pak merakosej për veten e tij se sa për djelmoshat që luanin në fushën e lojës, që mos të pësojnë diçka të keqe nga barbarët serb. 

Askush nuk e dinte se si do të shkonin në fushën e lojës dhe se si do të ktheheshin në shtëpi, gjithçka mund të ndodhte në postblloqet e milicisë serbe apo gjatë rrugës ose gjatë ndeshjes: të rrihesh, të arrestohesh apo edhe të burgosesh! 

Zeqiri e kishte hallin për secilin futbollist, sikur për fëmijët e vet, që mos t’i gjente gjë e keqe, jo rrallë futej edhe në zjarr me shokë, duke u përballur me makinerinë e pushtuesit serb, por kurrë nuk u dorëzua, gjithmonë triumfues karshi tyre! 

Në vitet e 90-ta, çdo markë që e ka dhënë Zeqiri ka qenë sikur një plumb për Serbinë. Sepse pushtuesi serb i kishte halë në sy financuesit e klubeve që garonin në Kampionatin e Republikës së Kosovës, duke i vlerësuar si njerëzit më të rrezikshëm për Serbinë. 

Zeqiri sot ndihet krenar që Kosova është shtet, djemtë dhe vajzat tona lozin të lirë në stadiume dhe palestra sportive, garojnë si e gjithë bota në garat zyrtare ndërkombëtare.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat