Favre vizitoi zyrat e reja të FFK-së dhe Kampin Edukativ në Hajvali 

Futboll

Favre vizitoi zyrat e reja të FFK-së dhe Kampin Edukativ në Hajvali 

Më: 19 nëntor 2020 Në ora: 14:17
Favre vizitoi zyrat e reja të FFK-së dhe Kampin Edukativ në Hajvali 

Zëvendëspresidenti i Asociacioneve në UEFA dhe njëherësh kryesuesi i programit “HatTrick”, Thierry Favre pasi mbrëmë e ndoqi nga afër ndeshjen e fundit të Kombëtares së Kosovës në Ligën e Kombeve kundër Moldavisë, sot ka vizituar selinë e FFK-së, ku ka mbajtur takim me presidentin Agim Ademi dhe sekretarin e përgjithshëm, Eroll Salihu.

Me këtë rast është diskutuar edhe për projektet e FFK-së të përfituara nga programi “HatTrick” siç është zhvillimi i talenteve të reja “Elite Youth Developement Programme U15”, pastaj edukimi i trajnerëve dhe programet e ndryshme për fëmijët, komunitetet dhe personat me nevoja të veçanta.

Rreth këtyre projekteve z. Favre u njoftua nga përgjegjësit Michael Ness dhe Edmond Rugova. Më pas zyrtari i lartë i UEFA-s vizitoi zyrat e reja të FFK-së, si dhe Kampin Edukativ në Hajvali. Favre u shpreh tejet i kënaqur me punën e bërë nga FFK-ja dhe me realizimin e të gjitha projekteve të parapara, derisa shprehu mirënjohjen ndaj presidentit Ademi dhe sekretarit të përgjithshëm Salihu për menaxhimin e mirë të punëve në kohë pandemie. Ai po ashtu theksoi se mbështetja e UEFA-s për projektet e FFK-së do të vazhdojë edhe në të ardhmen. “Jam i kënaqur me punën në FFK. Me ndërkombëtarizimin e futbollit çdo gjë filloi shumë mirë dhe shumë shpejt. Jam i lumtur që jeni duke i bërë zyrat e reja. Me sa e di një ndër projektet e para strategjike të identifikuara ka qenë Qendra e re Stërvitjeve të Kombëtareve, në të cilën mendoj se duhet të bëjmë përpjekjet maksimale.

Pjesa më e madhe e projektit të UEFA-s është implementuar dhe ne jemi të kënaqur dhe mezi presim të kthehemi prapë këtu. Gjithashtu e kuptoj edhe zhgënjimin me ndeshjen e ‘play-off’-it në Shkup. Mendoj që me fillimin e marsit të ardhshëm (kualifikimet e Botërorit, v.j) stabiliteti i futbollit do të kthehet dhe gjithashtu duhet të mbani entuziazmin tuaj që keni për ekipin kombëtar.

Sa i përket FFK-së nuk shohim ndonjë rrezik që ndonjë nga projektet e UEFA-s të mos mund të financohet. Kjo është edhe njëra prej përgjegjësive të mia kryesore në kuadër të UEFA-s”, ka deklaruar Favre.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat