Mitrovica e fiton edhe Kupën e Kosovës

Futboll

Mitrovica e fiton edhe Kupën e Kosovës

Më: 23 nëntor 2020 Në ora: 17:57
Foto Ilustrim

Futbollistet e Mitrovicës janë fituese të Kupës së Kosovës për edicionin garues 2019/20.

Në ndeshjen finale, e cila u zhvillua të hënën në stadiumin “Zahir Pajaziti” në Podujevë, mitrovicaset e mposhtën me lehtësi Llapin, me rezultat bindës 10:0.

Kjo ndeshje ishte paraparë të luhej në fund të edicionit të kaluar, por për shkak të pandemisë dhe më pas orarit të ngjeshur ishte e pamundur të zhvillohej deri më tash.

Kampionet në fuqi treguan edhe një herë superioritetin e tyre në garat vendore, teksa vashat e reja llapjane nuk kishin as forcë e as cilësi për t’iu bërë ballë në këtë finale.

Het-trik në këtë ndeshje realizoi Kaltrina Biqkaj, derisa nga dy gola i shënuan Andisiwe Mgcoyi, Edona Kryeziu dhe Suada Jashari, teksa serinë e golave e mbylli Blerta Shala nga penalltia në minutën e fundit.

“Jam shumë e lumtur që shënova sërish het-trik dhe që arritëm t’i gëzohemi edhe një trofeu. Mbyllja e vitit me titullin e kampionit dhe Kupën e Kosovës është një gjë shumë e mirë si për neve, ashtu edhe për klubin”, ka theksuar Kaltrina Biqkaj.

Ndërkohë, trajneri i mitrovicasve, Veton Çitaku është shprehur i lumtur që iu gëzua trofeut të parë nën drejtimin e kampioneve.

“Është një ndjenjë e posaçme fitimi i trofeve, por mendoj se kjo ishte një ndeshje jo e barabartë në aspektin e kualitetit, pasi Llapi ka lojtare të reja. Sidoqoftë, këto suksese të Mitrovicës vijnë pas një organizimi shumë të mirë dhe pune të vazhdueshme që bëhet në klub në tri vitet e fundit”, ka thënë Çitaku.

Në anën tjetër, trajneri i llapjaneve, Driton Rrahmani e pranoi se skuadra e tij është larg nivelit të Mitrovicës, por u shpreh krenar që për herë të parë morën pjesë në finale të kësaj gare.

“Realisht ne jemi ekip i ri dhe i pabarabartë me Mitrovicën sa i përket cilësisë, por vetë arritja deri në finale të kupës për ne ka qenë një sukses historik. Duhet pranuar se aktualisht Mitrovica është një rival i pandalshëm në garat vendore sa i përket futbollit të femrave”, ka thënë Rrahmani.

Do theksuar se medaljet për të dyja ekipet dhe trofeun kapitenes së Mitrovicës, Xhemile Berisha i ndanë nënkryetari i FFK-së, Agim Dibrani dhe kryetarja e Komisionit për futbollin e femrave dhe anëtarja e KE-së, Vjollca Krasniqi.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat