Amatorizëm total, klubet e futbollit nuk i zbulojnë publikisht rastet e infektimit me COVID-19

Futboll

Amatorizëm total, klubet e futbollit nuk i zbulojnë publikisht rastet e infektimit me COVID-19

Më: 23 nëntor 2020 Në ora: 18:35
Foto ilustrim

Futbolli vazhdon të përballet me probleme të shumta.

Një tjetër problem që ka ardhur nga “qielli” është pandemia COVID-19, e cila e goditur jo pak futbollin tonë.

Rastet kur janë infektuar zyrtarë klubesh, trajnerë, futbollistë e punëtorë sportivë nuk kanë munguar në futbollin tonë.

Gjithsesi, klubet vazhdojnë t’i “mbajnë për vete” rastet pozitive.

Përjashtim ka bërë skuadra e Dritës, e cila në muajt e parë të pandemisë (maj) njoftoi publikisht në faqen zyrtare se njëri nga lojtarët është i prekur, Izair Emini.

Krahas Dritës, edhe Prishtina dhe Gjilani gjatë ndeshjeve ndërkombëtare e kanë njoftuar opinionin rreth infektimeve, por ky “adet” më pas u harrua.

Ka raste kur pas ndonjë telefonate të rastësishme për ndonjë temë rreth sportit më të popullarizuar në botë njerëzit e futbollit lajmërojnë se janë të infektuar me COVID-19, por assesi klubet nuk po gjejnë forcë që ta njoftojnë opinionin edhe zyrtarisht përmes faqeve zyrtare të klubeve.

Një gjë e tillë nuk ndodh në futbollin evropian, derisa klubet raportojnë në kohë reale për infektime.

Kabashi: Nuk kemi dashur të bëjmë panik në popull

Rasti i fundit i zbuluar publikisht me COVID-19 vjen nga Ballkani.

I pari i klubit, Arsim Kabashi, është infektuar me koronavirus të cilin e ka kaluar ditë më parë.

Ai ka thënë se nuk e ka zbuluar rastin publikisht për të mos shkaktuar panik në popull.

“Nuk ka qenë shumë e vështirë. Kam pasur simptoma të lehta, si temperaturë dhe plogështi, jo diçka ma shumë. Kemi dashur ta mbajmë në vete, të mos e bëjmë të madhe. Jam mbyllë në shtëpi 14 ditë. Nuk kemi dashur të bëjmë panik në popull”, ka thënë presidenti i Ballkanit, Arsim Kabashi.

Flamurtari i Prishtinës ishte një nga skuadrat që edicionin e kaluar ka garuar në Superligë e që është përballur me shumë raste me koronavirus.

I infektuar ka qenë edhe njeriu i parë i skuadrës, presidenti Imer Ademi.

I kontaktuar për ta pyetur se pse klubi i tij nuk ka dalë me ndonjë njoftim zyrtar për rastin e tij ose edhe të futbollistëve, Ademi tha se nuk i ka shkuar mendja. “Tybe nuk më ka shkuar mendja. Veç për këtë arsye, për asgjë tjetër”, ka thënë Imer Ademi të hënën.

Sylejmani: Klubet tona njoftojnë vetëm kur të kenë ditëlindje dikush brenda klubet, sepse me gjasë koronavirusi nuk po u duket më interesant

“Pandemia “Covid-19” ka prekur gjithë botën dhe jo vetëm Kosovën, prandaj nuk do të ishte asgjë tragjike dhe as e papritur nëse ndonjëri nga futbollistët, stafi teknik apo drejtuesit e klubeve infektohen me koronavirus, sidomos tash pas valës së re të infektimeve në vend. Prandaj klubet përveçse duhet marrë masat dhe t’i zbatojnë protokolet nga institucionet shtetërore, gjithashtu duhet të tregohen korrekte së pari në raport me vetën e tyre dhe personave që ndodhen brenda klubit e më pas edhe me opinionin, pasi që duhet të kemi shumë kujdes dhe t’i ruajmë të tjerët”, ka deklaruar Drilon Sylejmani. “Klube të mëdha evropiane po përballen me këtë shqetësim duke njoftuar pothuajse çdo ditë me nga një futbollistë të infektuar. Klubet tona njoftojnë vetëm kur të kenë ditëlindje dikush brenda klubet, sepse me gjasë ‘koronavirusi’ nuk po u duket më interesant”, përfundoi Drilon Sylejmani, njohës i rrethanave të futbollit.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat