Një yllë i ri ka lindur dhe që në shansin e parë bën me dije se është i determinuar për të shndëritur fuqishëm në ‘qiellin’ e futbollit. Shkëndija dhe elita e futbollit vendor nga e diela kanë një rekord të ri, pasi Dashmir Elezi bëhet futbollisti më i ri në histori të klubit dhe ligës që debuton dhe madje edhe shënon. Kuqezinjtë kanë rritur në shkollën e moshave një ‘xhevahir’ që rëmbeu që në rastin e parë dy rekorde, më i riu që luan dhe më i riu që shënon.
Të shtunën e 21 nëntorit Elezi festonte ditëlindjen e tij të 16-të, duke përmbushur kushtin për të fituar të drejtën të luajë në ekipin e parë. Të dielën, 22 nëntor gjendet në formacionin startues në takimin Shkëndija-Shkupi (1:1), ndërsa rezultati zhbllokohet në fund të pjesës së parë pikërisht me autor të golit Dashmir Elezin. Fillim i vrullshëm dhe dy rekorde në një ditë e një ndeshje për shpresën e madhe të futbollit tetovar dhe jo vetëm.
“Është një ëndërr e bërë realitet. Një ndjenjë që nuk mundem ta përshkruaj me fjalë. Më në fund kam debutuar me ekipin e parë dhe kisha fatin edhe të shënoj në debutim”, thotë Dashmir Elezi që rëmben rekordin e Valmir Nafiut që deri tani ishte golashënuesi më i ri i Shkëndijës në elitë me 16 vite e 3 muaj. Elezi shënon sapo mbush të gjashtëmbëdhjetat.
“Unë mezi kam pritur ditën kur do të debutoj me ekipin e parë, pa menduar për rekorde dhe gjëra të tilla.
Ky është klubi i zemrës sime, stërvitem që në moshë shumë të vogël dhe gjithnjë ushqeja ëndërën që një ditë do luaj për ekipin e parë. Kam luajtur në ndeshje miqësore me ekipin e parë, por të luaj një ndeshje zyrtare përfundimisht është ndjenjë e mrekullueshme dhe realizim i një ëndërre.
E tani rezulton që jam më i riu që debutoj dhe që shënoj në historinë e Ligës së Parë! E bukur gjithsesi për të bartur këtë rekord”, thotë Elezi që shton se ndjehet i motivuar për të punuar edhe më shumë në të ardhmen.
“Futbollin e dua jashtëzakonisht shumë dhe për mua të stërvitem shumë paraqet kënaqësi. Të jem këtu më është dashur shumë punë dhe tani kur kam debutuar me ekipin e parë ndjehem shumë i motivuar për të vazhduar me një ritëm edhe më të shtuar.
Nëse debutimi dhe goli janë rekorde të reja në futbollin e vendit, atëherë kjo është falë gjithë atyre që kanë punuar me mua deri tani, e kryesisë që më ka besuar, stafit teknik që më dha shansin të debutoj në këtë moshë dhe bashkëlojtarëve që më mbështetën sikur të jemë pjesë e ekipit të parë shumë vite. Do vazhdoj të punoj që gjithë këto lavda që më drejtohen t’i arsyetoj me paraqitje sa më të mira në të ardhmen”, përfundoi Dashmir Elezi.