Ikona e futbollit botëror Diego Armando Maradona nuk ishte i zoti vetëm për mrekullitë që ka prodhuar në fushë, por dhe për deklaratat e tij përvëluese, që janë kontestuar vazhdimisht gjatë jetës së tij. Teksa sot e gjitha bota shfleton dhe kujton arritjet e “Djalit të Artë”, njëra nga periudhat që do të kujtohet gjatë është Kupa e Botës 1990, por jo për lojën në fushë të yllit të Argjentinës, por për shfryrjen e tij ndaj publikut italian, shkruan panoramasport.
Diego nuk është kudo i adhuruar. Anglezët e kanë renditur si “njeriun e dytë më të urryer në Angli” pasi e fajësojnë se “Dora e Zotit” i eliminoi padrejtësisht në Botërorin e 1986-ës.
Në sfidën e parë me Kamerunin në Kupën e Botës “Itali 1990”, ku Argjentina pësoi një nga humbjet më shokuese në histori 1-0, Maradona ironizoi tifozët italianë në “San Siro”, që gjatë ndeshjes e vërshëllyen në fushë duke mbështetur rivalët afrikanë. Maradona thumboi sjelljen e fansave në Milano karshi tij.
“Më vjen mirë që sot pasdite zbuluam se italianët në Milano ndaluan së qeni racist. Sot, për herë të parë ata mbështetën afrikanët”, u shpreh Diego pas humbjes tronditëse me Kamerunin.
Por, momenti që ndezi akoma më shumë publikun italian, dhe sidomos atë të Napolit, qytetit që e adhuron si Perëndi, ishte në prag të gjysmëfinales Itali-Argjentinë.
Sërish, Diego nuk u kursye aspak ndaj shtetit italian. Në mënyrë krejtësisht të papritur, ai u tregoi napolitanëve shteti italian i ka braktisur ata dhe qytetin duke i zhytur në varfëri. Ai akuzoi italianët dhe shtetin e tyre për racizmin sistematik ndaj napolitanëve. Në mënyrë indirekte, ai u kërkoi napolitanëve që të bënin tifo për Argjentinën.
“Napolitanëve u kërkohet që të jenë italianë për një mbrëmje, ndërsa për 364 ditë të vitit i quajnë ‘terroni’ (‘fshatarë’ – term denigrues për banorët e jugut të Italisë, sidomos për napolitanët), Dua vetëm t’i respektoj napolitanët, unë dhe shokët e mi e dimë që ata janë italianë, nuk mund t’u kërkojmë të bëjnë tifo për ne, por pjesa tjetër e Italisë duhet ta kuptojë që napolitanët janë po aq italianë sa italianët vetë”, u shpreh Maradona në mënyrë të revoltuar përpara reporterëve italiane.
Ky qëndrim i tij ndau në dy pjesë publikun napolitan, njëra palë e ardhuroi akoma më tepër këtë gjë, ndërsa një pjesë tjetër u ndje e fyer.
Një pjesë e napolitanëve hapën një banderolë kushtuar Maradonës në stadium gjatë gjysmëfinales me Italinë. Ata i treguan idhullit të tyre se mbi të gjitha “Italia mbetet atdheu i Napolit”, pavarësisht se deklaratat e Maradonës tregonin të vërtetën.
“Maradona, Napoli të do ty, por Italia është atdheu jonë!”, shkruhej në banderolën e famshme.
Megjithatë, Maradona dhe Argjentina dolën triumfues nga takimi teksa arritën ta eliminonin Italinë me penallti 4-3. Vetë “10”-a legjendare e Napolit dhe Argjentinës shënoi bukur penalltinë e katërt ndaj portierit Valter Zenga. Maradona dhe skuadra e tij i shkaktuan një plagë akoma më të madhe Italisë, por Gjermania i mohoi fitoren e dytë radhazi të Kupës së Botës.
Ndërsa, sot e gjithë bota e vajton, ndoshta dhe ata që dikur e kanë urryer, Maradona tregoi se ishte një njeri që nuk i fshihej kurrë së vërtetës.
Ai dinte si të fitonte adhurues, por shumë herë, të thuash të vërtetën, të bën armik.