FFK shtynë Kuvendin e Punës, konfirmon gatishmërinë e disa trajnerëve për Kosovën

Futboll

FFK shtynë Kuvendin e Punës, konfirmon gatishmërinë e disa trajnerëve për Kosovën

Më: 27 nëntor 2020 Në ora: 17:56
FFK shtynë Kuvendin e Punës, konfirmon gatishmërinë e disa trajnerëve për Kosovën

Komiteti Ekzekutiv i FFK-së, sot, mbajti mbledhjen e vet të radhës nën drejtimin e presidentit Agim Ademi. Në këtë mbledhje KE analizoi gjendjen aktuale në futbollin e Kosovës, ku konstatoi se rrjedha e garave përkundër orarit të ngjeshur po ecën me dinamikën e paraparë, por edhe me disa shqetësime dhe ankesa të klubeve në ndarjen e drejtësisë. KE i FFK-së u zotua për kujdes maksimal ndaj garave dhe me këtë rast kërkon nga të gjitha organet e saj që të vazhdojnë punën me seriozitet, vigjilencë dhe përgjegjësi maksimale në mënyrë që rrjedha e garave të ecën si duhet.

Në këtë mbledhje, KE analizoi dhe shqyrtoi edhe çështjen e trajnerëve të ekipeve kombëtare, me ç’rast u dakordua që të bëhen ndryshime aty ku vlerësohet se është e nevojshme, me qëllim të rritjes së cilësisë dhe në kërkim të rezultateve. Realisht ana ekonomike nuk është e leverdishme, por ka trajnerë që kanë shprehur gatishmëri për të qenë bartës të punës në ekipet kombëtare dhe KE do të bëjë zgjidhjen e duhur. Ndërkohë, KE vendosi që të shtyjë Kuvendin e Punës, i cili ishte paralajmëruar për 20 dhjetor.

Një vendim i tillë u mor në koordinim me UEFA-n për shkak të situatës me pandeminë si dhe për faktin se FFK është në proces të digjitalizimit dhe platforma online ende nuk është e gatshme.

Kësisoj, Kuvendi i Punës do të mbahet në vitin e ardhshëm. KE shqyrtoi edhe kërkesën e klubeve të Ligës së Parë drejtuar këtij organi që edhe edicionin e ardhshëm kjo ligë të vazhdojë me formatin e njëjtë të garave.

Në parim KE e mbështeti këtë kërkesë, por ajo do të analizohet edhe një herë dhe në koordinim me UEFA-n do të merret vendimi i duhur. Në fund, u diskutua edhe për manifestimin tradicional “Laureatët e Vitit” dhe u mor vendimi që për shkak të pandemisë sivjet shpallja e më të mirëve të bëhet pa ceremoni. KE shqyrtoi edhe kërkesat e parashtresat e tjera drejtuar këtij organi.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat