Rrëfimi i dhimbshëm i agjentit: Maradona ishte i vetmuar, e la veten të vdiste

Futboll

Rrëfimi i dhimbshëm i agjentit: Maradona ishte i vetmuar, e la veten të vdiste

Më: 27 nëntor 2020 Në ora: 23:07

Stefano Ceci ishte menaxheri dhe një nga miqtë më të mirë të Diego Armando Maradonës. Ikona e futbollit botëror u nda nga kjo jetë pasditen e së mërkurës në moshën 60-vjeçare, duke përlotur gjithë botën e futbollit.

Ceci ka dhënë një prononcim emocionues dhe të dhimbshëm për Radio Kiss Kiss, duke u ndalur te gjeniu i madh dhe duke mos i kursyer thumbimet ndaj familjarëve të “El Diez”.

“Po kryhet një hetim në lidhje me vdekjen e Maradonës. Diego ka qenë gjithmonë i vetmuar, njerëzit rrallë mendonin për të. Diego pushoi së qenuri Diego që në moshën 17-vjeçare.

Ai ishte një person i brishtë, plot pasiguri, i përulur dhe me një zemër të madhe. Kam kujtime të mrekullueshme me të, janë mbi 20 vite që e njihja nga afër. Kohët e fundit e la veten pas dore, fizikisht dhe mendërisht.

Mendoj se Diego ishte lodhur, e la vetën të vdiste, i kishte humbur dëshira për të jetuar. Kaosi familjar që e rrethonte nënkuptonte që Diego nuk kishte kurrë paqe të vërtetë.

Edhe tani që vdiq, familjarët e tij po i shqyejnë flokët njëri-tjetrit. Të paktën, tani mund të jetë me ata që i dashuronte më shumë se të gjithë: prindërit e tij. Tani Diego ndodhet në paqe“, deklaron Stefano Ceci.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat