Pritet me emocione derbi më i madh në Kosovë! Rikthehet Bushiç

Futboll

Pritet me emocione derbi më i madh në Kosovë! Rikthehet Bushiç

Nga: Kemajl Goca Më: 28 nëntor 2020 Në ora: 21:45
Pritet me emocione derbi më i madh në Kosovë

Gjilani - Drita, sërish pa shikues, për shkak të pandemisë. Me padurim pritet derbi më i madh në Kosovë, mes dy skuadrave të të njëjtit qytet dhe që luajnë në të njëjtin stadium!

Nënkampioni i Kosovës, Gjilani kërkon fitore dhe t’i kthehet qetësisë pas humbjes me 1:0 nga Arbëria e Dobrajës së Madhe, ndërsa kampioni në fuqi Drita, pas barazimit 1:1 me Feronikelin, synon trepikëshin që të ruajë hapin me liderin, Ballkani. 

Skuadra e Gjilanit ka bërë të gjitha përgatitjet për ndeshjen e nesërme që luhet në orën 13.30 në kuadër të javës së 15-të të elitës së futbollit të Kosovës.   

“Skuadra mbyll përgatitjet për duelin kundër Dritës!
Kuq e bardhët sot mbajtën seancën e fundit stërvitore, para duelit të ditës së diele kundër Dritës.

Stërvitja e cila u mbajt në fushën e stadiumit "Agim Ramadani-Katana", në Gjilan, zgjati rreth një orë dhe u punuan detajet e fundit për duelin e lartëcekur.

Vlen të ceket se atmosfera brenda skuadrës së Gjilanit është mjaft pozitive, ku u punua me ritëm mjaft të lartë.
Për skuadrën e drejtuar nga Gentian Mezani, për këtë ndeshje nga lëndimi pas një kohe të gjatë rikthehet edhe sulmuesi kroat, Tomislav Bushiç, i cili ka lënë prapa lëndimin që e ka mbajtur disa muaj larg fushave të blerta.

Mungesat në këtë sfidë do të jenë Keita Razak, i cili ende nuk është riaftësuar nga lëndimi dhe po stërvit i ndarë nga pjesa tjetër e bashkëlojtarëve dhe Tomislav Sorsa, i cili mungon për arsye të një lëndimi muskulor.

Takimi Gjilani-Drita, do të luhet ditën e nesërme me fillim në ora 13 e 30 minuta, në stadiumin "Agim Ramadani-Katana", në Gjilan”, njofton SC Gjilani.  Drita mban vendin e dytë me 27 pikë, ka katër më shumë se Gjilani që renditet dy pozita më poshtë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat