Tirana “harron” si fitohet, Teuta ngec sërish

Futboll

Tirana “harron” si fitohet, Teuta ngec sërish

Më: 29 nëntor 2020 Në ora: 19:01
Tirana “harron” si fitohet, Teuta ngec sërish

Ndeshja e tretë në pankinën e Tiranës, por Nevil Dede do të duhet të presë ende për të shijuar fitoren e parë, pasi bardheblutë nuk shkuan më shumë se një barazim 1-1 në transfertën ndaj Kastriotit në Kamës.

Kryeqytetasit kaluan shpejt në avantazh, me golin e shënuar nga sulmuesi kryesor Ernest Muçi në minutën e 8’ të takimit, megjithatë krutanët reaguan mirë dhe rikthyen baraspeshën me anë të sulmuesit Devid.

Përballja ishte e luftuar dhe me raste të shumta deri në fund, por asnjë prej skuadrave nuk arriti të dërgojë topin në rrjetë, teksa vërshëllima finale e arbitrit la në fuqi rezultatin 1-1 dhe të dy ekipet dolën me nga një pikë.

Laçi shpërthen me gola dhe shënon plot 6 herë në portën e Apolonisë, për të përmbysur avantazhin fillestar të fierakëve dhe për të marrë fitoren e parë në kampionat, menjëherë pas largimit të trajnerit Armando Cungu.

Nën drejtimin e trajnerit të përkohshëm Stavri Nica, kurbinasit e nisën keq ndeshjen dhe e panë veten në disavantazh në minutën e 23-të, kur fierakët arritën të shënojnë në portën e Sherrit me anë të Omerit.

Megjithatë reagimi i bardhezinjve ishte mjaft i mirë dhe sulmuesi Kyrian Nwabueze shënoi dy herë në pjesën e parë, duke çuar skuadrën në dhomat e zhveshjes me rezultatin 2-1.

Apolonia provoi të reagojë në pjesën e dytë, por e pati të vështirë të kërcënojë portën e Laçit, që nga ana tjetër arriti të shënojë edhe tre herë të tjera me Nwabuezen që kompletoi tripletën personale, Xhixhën dy herë dhe Markun.

Ngec sërish Teuta, që pavarësisht emrave të bujshëm në repartin e avancuar, shënon shumë pak dhe sot nuk shkoi më shumë se një barazim pa gola në transfertën ndaj Bylisit. Trajneri Martini kishte forcuar sulmin, duke aktivizuar nga minuta e parë Krasniqin e Hebajn, megjithatë as kjo nuk mjaftoi që të shënojnë në portën e Bylisit.

Ndeshja u komplikua për durrsakët në minutën e 60’, kur Rustem Hoxha goditi kundërshtarin me bërryl dhe mori kartonin e dytë të verdhë, duke lënë të tijtë me një futbollist më pak.

Gjithsesi loja ishte e hapur deri në vërshëllimën finale të Enea Jorgjit, por asnjë prej skuadrave nuk arriti të shënojë, teksa konfirmuan se kanë probleme në finalizim, pasi janë dy ekipet me më pak gola të shënuar në këtë start të kampionatit.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat