Daja: Derbi? Ndeshje për t’u fituar

Futboll

Daja: Derbi? Ndeshje për t’u fituar

Më: 1 dhjetor 2020 Në ora: 00:21
Ilir Daja

Ilir Daja po bën një punë shumë të mirë te Partizani, skuadra e tij ndodhet në formë shumë të mirë dhe kryeson Kategorinë Superiore me 10 pikë, po aq sa ka edhe Vllaznia. Trajneri i njohur flet rreth fitores 4-0 ndaj Skënderbeut në një lidhje direkte me emisionin “Pressing” në ABC, aty ku ndalet edhe te gjendja e Partizanit dhe objektivat e “Demave”.

“Ka luhatje si në jetë dhe në këto pesë javë kampionat. Pozitive është fakti që Partizani po bën konsolidim të manovrës dhe performancë të mirë. Një pjesë e mirë e lojtarëve ka qenë edhe para dy vitesh, kur u shpallën kampionë. Më e rëndësishmja te ne është shpirti i skuadrës. Mbrojtës kemi pasur pak, por mënyra se si po luajnë ata, tregon se e kemi minimizuar këtë problem.

Të drejtosh Partizanin, do të thotë që presioni për marrjen e rezultateve pozitive është prezent, pavarësisht merkatos së bllokuar. Jemi me këmbë në tokë, nuk kemi dalë me objektiva përfundimtare për fundin e kampionatit, nuk do të ishte normale në situatën që jemi. Nuk do të thotë asgjë që jemi në vendin e parë, rëndësi ka të kemi vazhdimësi në lojë, më pas do të vijë edhe vazhdimësia në rezultate.

Diferencat nuk janë të mëdha, faktori psikologjik nuk është në nivelin e duhur në çdo skuadër, edhe përqendrimi nuk është në kushte maksimale. Impenjimi ka rëndësi. Në këto 5 javë, kush ekip ka qenë i motivuar dhe ka sakrifikuar në grup, e ka marrë rezultatit. Sa i përket lojës, ka oshilacione nga ndeshja në ndeshje, por edhe gjatë një ndeshje. Do ketë luhatje.

I befasuar nga vendi i parë? Është java e pestë, nuk kemi menduar se çfarë vendi do kemi. Kemi menduar të marrim maksimumin në çdo ndeshje dhe të kemi vazhdimësi dhe sa më pak luhatje gjatë një ndeshje, në fazën e mbrojtjes dhe të sulmit. Duke pasur frymën e grupit, do i kapërcejmë problematikat që kemi. Jemi në vend të parë, por jemi me këmbë në tokë.

Të drejtosh 3 skuadrat e kryeqytetit, tre më të titulluarat në Shqipëri, është vlerësim i madh. Unë jam tifoz me skuadrën që drejtoj, tani jam tifoz i Partizanit. Ky është profesioni. Ku kam qenë kam dhënë maksimumin, duke respektuar kundërshtarët, por më shumë ekipet që drejtuar. Patjetër që tani jam tifoz i Partizanit.

Derbi? Derbi ka një specifikë tjetër, sigurisht që është kryendeshja e kampionatit shqiptar. Tirana është skuadra kampione, ne jemi në vend të parë, nuk ka diferencë të madhe pikësh. Është një ndeshje e paparashikueshme, taktika del në plan të dytë, por është një ndeshje për t’u fituar“, deklaron Daja.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat