Muça: Po ndjek ëndrrën. Vajza e futbollit po thyejnë barrierat!

Futboll

Muça: Po ndjek ëndrrën. Vajza e futbollit po thyejnë barrierat!

Më: 1 dhjetor 2020 Në ora: 18:14
Muça: Po ndjek ëndrrën. Vajza e futbollit po thyejnë barrierat!

Për Delmën, aventura në lojën e bukur të futbollit ka nisur që kur ajo ka qenë e vogël. E lindur në një familje tifozësh futbolli dhe me një xhaxha, i cili pa tek ajo cilësitë e një futbollisteje të ardhshme, Delma sot e gjen veten pjesë të ekipit të sapokrijuar kryeqytetas të Partizanit.

Një nga ëndrrat e saj ka qenë të luajë me Kombëtaren shqiptare të futbollit dhe tashmë që e ka realizuar, është vënë në ndjekje të realizimit të ëndrrave të radhës. Në mesazhin e saj për vajzat, ajo nuk lë jashtë veten e saj, duke kërkuar që të bindin të gjithë paragjykuesit se futbolli nuk është vetëm për meshkuj.

Në një intervistë ekskluzive për rubrikën “Talenti Shqiptar” në Fshf.org, Delma tregon gjithçka, nga momenti se si u bë pjesë e futbollit, deri te ftesa për të qenë pjesë e Kombëtares.

– Si lindi dëshira dhe pasioni për futboll?

– Në familjen time flitej gjithmonë për futboll kur unë isha e vogël. Ata ishin shumë tifozë dhe unë jam rritur duke parë gjithë kohës ndeshje futbolli. Kështu kanë nisur shkëndijat e mia të para me futbollin derisa fillova të shkoja dhe të ndiqja edhe vetë stërvitjet e kushërinjve të mi dhe të filloja të luaja edhe vetë. Që e vogël kam arritur të kuptoj se Zoti më ka dhënë diçka për të cilën unë i jam falënderuese vërtetë. Ai më ka dhënë futbollin.

– Cili ishte njeriu i parë që të afroi me këtë sport dhe besoi te ti?

– Xhaxhai im e ka ndjekur futbollin, që në vegjëlinë e tij dhe është nga të parët persona që ka besuar tek unë dhe që më ka regjistruar në një ekip femrash. Duke qenë një njohës i mirë i futbollit, ai e dinte mirë se çfarë cilësish duhet të kishte një futbollist dhe këto cilësi i gjeti tek unë teksa më shikonte që luaja me pasion.

Familja ime padyshim që ka luajtur dhe vazhdon të luajë një rol të rëndësishëm në jetën time futbollistike, madje dua të shtoj se im atë është një nga tifozët e mi më të mirë e më të çmendur, i cili më ndjek në çdo stërvitje dhe në çdo ndeshje. Ai më shtyn të kaloj çdo limit dhe të jap më të mirën time.

– Si është marrëdhënia jote me grupin dhe trajnerin?

– Çelësi që një ekip të funksionojë dhe të ketë sukses është që grupi të jetë harmonik. Marrëdhënia që ne vajzat kemi me njëra-tjetrën apo qoftë edhe me stafin e ekipit është shumë e mirë. Përpiqemi në çdo moment të respektojmë punën e njëra-tjetrës dhe jemi bashkë në çdo kohë, me një qëllim të vetëm, që të arrijmë ato objektiva që i kemi vendosur vetes në fillim të sezonit.

– Si e përjetove momentin kur more ftesën e parë nga Kombëtarja?

Çdo futbollist, mendoj unë, kur nis karrierën e tij, ka si qëllim kryesor të përfaqësojë edhe ngjyrat e kombit të tij. Ideja që do të luaja për ngjyrat kuqezi një ditë, ishte një nga ëndrrat e mia, që tashmë është realitet. Kur më erdhi ftesa, jam emocionuar jashtë mase, pasi në atë moment kuptova që ëndrrat kishin filluar të bëheshin realitet dhe mozaiku i karrierës time kishte filluar të merrte formë.

– Cili ka qenë momenti apo episodi më i lumtur në karrierën tënde deri tani ?

– Besoj se çdo njeri emocionohet kur dëgjon himnin kombëtar. Por nuk ka emocione më të mëdha sesa ta këndosh e ta dëgjosh atë himn, duke mbajtur fanellën e Kombëtares veshur, me trupin që dridhet i gjithi nga emocioni. Pa dyshim që momenti më i lumtur dhe më emocionues është ndeshja e parë që kam luajtur duke përfaqësuar Kombëtaren time.

– Si e motivon veten kur ekipi nuk merr rezultat pozitiv?

– Edhe futbolli si çdo sport ka dy anët e saj të medaljes. Ka momente që ne nuk marrim rezultatin që prisnim ose atë çfarë meritonim, por kjo nuk do të thotë që të heqim dorë vetëm se në rrugë na doli një pengesë. Duhet të gjejmë gabimet tona, të punojmë fort për të mos i përsëritur dhe të japim maksimumin tonë.

– Cila është sakrifica më e madhe që ke bërë për futbollin?

– Jo vetëm unë, por çdo futbollist ka luajtur të paktën një herë i dëmtuar në një ndeshje, duke rrezikuar dhe duke vënë futbollin para shëndetit, edhe pse mund të ketë pasoja. Mua më ka ndodhur të luaj e dëmtuar në ndeshje, sepse e dua këtë lojë.

– Çfarë synimi ke për të ardhmen?

– Synim kryesor kam pasur të jem pjesë e Kombëtares. Meqë këtë e kam realizuar tashmë si synim, po punoj fort që të provuar edhe sfida dhe eksperienca të reja në ligat europiane.

– Cila është këshilla më e vyer që ke marrë dhe nga kush?

– Familja është ajo e cila qëndron gjithmonë pranë teje dhe do të mirën tënde. Duke qenë se përkushtimi te futbolli është 101%, ata gjithmonë më tërheqin vëmendjen që të jap më të mirën dhe në shkollë, duke bërë që unë të menaxhoj kohën dhe t’i bëj të dyja më së miri.

– Si e vlerëson faktin që Federata Shqiptare e Futbollit po i jep prioritet futbollit të femrave?

– Futbolli i femrave në Shqipëri është zhvilluar me vonesë, por populli thotë “Më mirë vonë sesa kurrë”. Është për t’u vlerësuar fakti që Federata po i jep prioritet futbollit të femrave, pasi edhe ne kemi nevojë të jemi në qendër të vëmendjes, ashtu sikurse është futbolli i meshkujve. Shikoj se këtë vit janë shtuar ekipet e femrave dhe më vjen mirë që shumë vajza po thyejnë barrierat dhe po ndjekin ëndrrat.

– Cili është idhulli yt në kombëtaren ideale?

– Të gjithë lojtarët që kanë arritur në majat e futbollit europian dhe botëror, unë i shoh si shembujt më të mirë për t’u ndjekur pasi secili prej tyre ka kapërcyer vështirësitë e tij për të arritur aty është dhe kanë cilësi për t’u admiruar. Unë do të veçoja një lojtare holandeze, Lieke Martens, e cila përfaqëson Kombëtaren e Tulipanëve dhe gjithashtu është kampione e Spanjës me ekipin e Barcelonës.

– Çfarë mesazhi i jep vajzave që i thuhet se futbolli është vetëm për djem?

– Duke pasur parasysh se në vendin tonë njerëzit ende nuk janë mësuar me idenë se edhe vajzat mund të luajnë futboll, do të doja t’i thoja se ne nuk duhet të heqim kurrë dorë nga diçka që e duam. Në këtë mesazh përfshij edhe veten time, sepse ndryshimi nis nga vetja. Ne duhet t’i bindim paragjykuesit se e kanë gabim dhe duhet t’i bëjmë njerëzit të besojnë te ne, por fillimisht duhet të besojmë ne te vetja.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat