Agim Ademi: Lamtumirë miku im! 

Futboll

Agim Ademi: Lamtumirë miku im! 

Më: 4 dhjetor 2020 Në ora: 12:46
Agim Ademi për Shefqet Sinanin: Lamtumirë miku im! 

Në vend të përkujtimit; Lamtumirë miku im!

Mëngjesi i të premtes, më solli jo vetëm mua, por mbarë komunitetin sportivë e veçmas atij të futbollit, lajmin tronditës për ikjen tënde në përjetësi, miku im Shefqet Sinani.

Ndjehem thellësisht i trishtuar sidomos nga fakti se ngadalë po më ikin njerëzit që kisha ndarë me ta  sakrificën dhe krenarinë, në rrugëtimin tonë të futbollit të pavarur të Kosovës.

Miku im, ishe brezi i artë i futbollit të Kosovës dhe vazhdove i qetë gjatë gjithë jetës duke dhënë gjithçka për të mirën e futbollit dhe të vendit. Modestia, këmbëngulja në të mirën, ngrohtësia, respekti  dhe  dashuria ndaj njerëzve ishin disa nga virtytet e tua, që të spikatën duke mbetur shembulli më i mirë i një njeriu të pavdekshëm për veprën që le mbrapa.

Miku im, ndjehem dyfishë i trishtuar jo vetëm si bashkëkohës dhe bashkëveprimtar i një periudhe të vështirë, por edhe nga pozicioni që mbaj, kur shoh se po shkëputet një hallkë e zinxhirit që e farkuam me mund e sprova nga më të ndryshmet. Çka do që shkruaj e flasë me duket tepër minore, karshi veprimtarisë tënde.

Miku im, jo vetëm unë por i gjithë komuniteti i futbolllit do të kujtojë me pietet, derisa puna e jote do të jetë udhërrëfyes i denjë për brezat që do të vijnë.

Kujtimi për Ty do të jetë i përjetshëm. Shpirti yt u bëftë dritë dhe u prehtë në paqe.

Të qoftë i lehtë dheu i Kosovës!, ka shkruar Agim Ademi, president i FFK-së.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat