Njihuni me kompeticionin e ri që krijoi UEFA, starton në sezonin 2021/2022, Kosova mbetet me 3 skuadra

Futboll

Njihuni me kompeticionin e ri që krijoi UEFA, starton në sezonin 2021/2022, Kosova mbetet me 3 skuadra

Më: 5 dhjetor 2020 Në ora: 09:13
Foto ilustrim

Prej sezonit të ardhshëm 2021/2022 do të zhvillohen tri gara kontinentale për skuadrat e futbollit.

Pas më shumë se 20 vjetësh, Konfederata Evropiane e Futbollit (UEFA) ka vendosur që skuadrat të garojnë në tri liga të ndryshme.

Ligës së Kampionëve dhe Ligës së Evropës i është shtuar edhe Liga e Konferencës, që është niveli i tretë.

Por shtimi i një lige nuk nënkupton më shumë skuadra në gara evropiane. Të paktën numri i skuadrave nga shumë vende nuk është rritur. Nuk është rritur as numri i skuadrave nga Kosova që do të garojnë në Evropë, ndonëse kjo ishte shpresuar nga drejtues të futbollit.

Në edicionin aktual 2020/2021, në kupa evropiane garuan tri skuadra. Drita si kampione startoi në Ligën e Kampionëve dhe pas eliminimit vazhdoi në Ligën e Evropës.

Ndërkohë Prishtina si fituese e Kupës dhe Gjilani si nënkampion ishin në Ligën e Evropës. Të gjitha skuadrat patën telashe me COVID-19.

Edicionin e ardhshëm, sipas disa publikimeve të fundit të UEFA-s, Kosovën në gara evropiane prapë do ta përfaqësojnë tri skuadra. Kampioni do të startojë në raundin parakualifikues të Ligës së Kampionëve. Fituesi i Kupës së Kosovës dhe nënkampioni do të startojnë në raundin e parë kualifikues të Ligës së Konferencës.

Pra në Ligën e Evropës nuk do të startojë asnjë skuadër. Varësisht se në cilën xhiro eliminohet kampioni nga Liga e Kampionëve, do të vazhdojë edhe paraqitja në garat e tjera evropiane.

Nëse kampioni eliminohet në raundin parakualifikues të Championsit apo në raundin e parë kualifikues, atëherë garimin e vazhdon në Ligën e Konferencës. Nëse eliminohet në raundin e dytë kualifikues të Championsit, atëherë vazhdon në Ligën e Evropës.

Gjasat që kampioni i Kosovës të shkojë përtej raundit të dytë kualifikues të Championsit nuk vlerësohen shumë të mëdha.

UEFA ka përcaktuar që finalja e parë e Ligës së Konferencës të luhet në “Air Albania” të Tiranës.

Gjithsej 184 skuadra nga 55 vendet anëtare të UEFA-s do të garojnë në ligën e re të konfederatës evropiane.

UEFA përcakton numrin e skuadrave në bazë të koeficientit të saj. Koeficienti rritet me suksese të skuadrave. Kosova është e 52-a, ndërsa pas lë vetëm Ishujt Faroe, Andorrën e San Marinon.

Me formatin e ri ndryshimet më të mëdha janë bërë në Ligën e Evropës. Më pak skuadra do të marrin pjesë në Ligën e Evropës e po ashtu të cilësisë më të lartë.

Sa i takon Kosovës, për rritjen e numrit të skuadrave që garojnë në Evropë duhet të përmirësohen rezultatet. Pjesëmarrja në gara evropiane sjell qindra e mijëra euro, shumë të lakmuara nga klubet e vendit.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat