Dede merr fitoren e parë në Laç. Kukësi katapultohet i dyti

Futboll

Dede merr fitoren e parë në Laç. Kukësi katapultohet i dyti

Më: 9 dhjetor 2020 Në ora: 15:45
Dede merr fitoren e parë në Laç. Kukësi katapultohet i dyti

U luajtën katër ndeshje të javës së 7-të të Superiores. Në kushte atmosferike të rënduara prej shiut, por nuk munguan emocionet dhe lufta sportive.

Vllaznia kryesuese ka dëshmuar sërish veten, duke likujduar krutanët debutues që në pjesën e parë me 3 gola. I pari nga “tuneli”, pa u konsumuar 30 sekonda lojë. Mbërrin disfata e parë në këtë kampionat për Kastriotin e Ramadan Ndreut. Kreu i Superiores mbetet kuqeblu edhe pas këtij “stacioni” të garës, pavarësisht nëse fiton Partizani në sfidën përmbyllëse të ditës së sotme, ndaj “djemve të detit”, shkruan telesport.

Shumë shpejt, që në minutën e 2-të, është zhbllokuar edhe Kukësi. Në “Adush Muça”, nënkampionët kanë shënuar që në minutën e dytë me Eze dhe kanë vënë suksesin në shina të sigurta në fund të pjesës së parë, me Ibrahimi.

“Vulën” këtij suksesi në transfertë ia ka vendosur Limaj, me penallti, tri minuta nga fundi. Verilindorët duket se i kanë marrë tashmë “xhirot” e duhura të “motorit” dhe shohin nga kreu, gjë për të cilën janë projektuar. Vendi i dytë iu takon atyre, derisa të përfundojë sfida e të kuqve. Nëse këta të fundit mposhtin Teutën, atëherë skuadra e Gegës spostohet e treta. Sa i takon Bylisit, duket shumë larg nga sezoni i kaluar.

Në Laç ka pasur dramë. Nabueze bëhet autor i dy mundësive të arta, të shpërdoruara për vendësit, njëra nga pika e bardhë. Dhe kur nuk shënon, do ta pësosh. Kjo materializohet në këtë ndeshje, sepse Batha nuk fal. Hero duhet konsideruar Visar Bekaj, portieri bardheblu, që ia ka “marrë dorën” bomberit kurbinas që kur luanin bashkë në Kosovë. Kurbinasit janë edhe pa trajner, ndërsa kriza bëhet evidente, pavarësisht se u bë “kokë turku” Armando Cungu, disa javë më parë. Mund të buzëqeshë më në fund Nevil Dede, që gjeti fitoren e parë në stolin e Tiranës, në një fushë mjaft të vështirë.

Sfida mes Apolonisë dhe Skënderbeut ka qenë e luftuar kryesisht në mesfushë, pa mundësi optimale finalizimi në pjesën e parë. Goli ka munguar, ndaj skuadrat e kanë rritur tempin në fraksionin e dytë, në kërkim të fitores. Fierakët kanë qenë më me fat, teksa kanë marrë penallti në minutën e 80-të, të kthyer në gol nga Gjata. Tri pikë të çmuara për debutuesit bardhejeshilë, që duket se do të rivalizojnë me korçarët për të mos rënë nga Superiorja.

Kategoria Superiore, java e 7-të
KASTRIOTI-VLLAZNIA  0-3
Golat: Dunga 1’, Dilaver 18’, Imeri 43’

LAÇI-TIRANA  0-1
Golat: Batha 38

BYLIS-KUKËSI  0-3
Golat: Eze 2’, Ibrahimi 45’ Limaj 87′ (pen)

APOLONIA-SKËNDERBEU  1-0
Golat: Gjata 80’ (pen)

PARTIZANI-TEUTA  (16:45).

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat