Hysaj dhe Rrahmani për herë të dytë dalin me COVID-19, mjeku sqaron rastin e pazakontë

Futboll

Hysaj dhe Rrahmani për herë të dytë dalin me COVID-19, mjeku sqaron rastin e pazakontë

Më: 10 dhjetor 2020 Në ora: 23:21
Elseid Hysaj dhe Amir Rrahmani

Të gjithë tifozët janë çuditur sot kur kanë mësuar se Elseid Hysaj dhe Amir Rrahmani kanë rezultuar përsëri pozitiv ndaj COVID-19 pas testeve që u ka kryer UEFA për infeksionin e rrezikshëm.

Të dy lojtarët stërviteshin prej disa ditësh në klub, pasi kishin rezultuar negativë në tamponët e tyre dhe ishin gati të ktheheshin në fushë.

Por klubi është detyruar t’i dërgojë përsëri në izolim, në pritje të sqarimit përfundimtar të situatës.

Xhuzepe Portela, profesori i patologjisë klinike në spitalin kryesor të Napolit dhe përgjegjësi për tamponët e klubit italian, ka shpjeguar se kjo situatë nuk ishte e panjohur.

“Në fakt nuk na çudit shumë, është një fenomen që e kemi parë edhe te shumë pacientë në Poliklinikë. Duhet thënë se fenomene të tilla ndodhin edhe nëpër laboratorë të ndryshëm. UEFA i bën kontrollet e saj në laboratorë të tjerë. Ndoshta metoda që përdoret është e ndryshme. Te ne kanë rezultuar një herë negativë, kanë bërë kontrollin në javën e kaluar. Por di gjithashtu që Rrahmani ka qenë të paktën edhe një herë negativ në tamponët e Autoritetit Shëndetësor të qytetit.

Megjithatë, e përsëris që është diçka që ndodh me shumë pacientë. Disa prej tyre alternojnë rezultate pozitive me negative, nuk di të them se çfarë do të ndodhë në vijim sa u përket këtyre dy lojtarëve.

A kanë infektuar të tjerë? Sipas disa publikimeve është e vështirë që të mund të infektojnë. Ajo që ndodh varet nga faza e infektimit. Me siguri tani të dy lojtarët janë në fazën përfundimtare të virusit. Kontrollet e UEFA-s kanë gjetur një pjesë të fundit të virusit që nuk duhet të krijojë probleme. Nuk ka sigurinë absolute që nuk kanë infektuar të tjerët, por mundësia është e madhe që të mos e kenë bërë”, tha mjeku italian.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat