Vllaznia udhëton në Laç, Kastrioti pret Kukësin

Futboll

Vllaznia udhëton në Laç, Kastrioti pret Kukësin

Më: 19 dhjetor 2020 Në ora: 12:15
Vllaznia udhëton në Laç, Kastrioti pret Kukësin

Kategoria Superiore do të rikthehet sot me ndeshjet e javës së 9, që është njëkohësisht edhe java e fundit e fazës së parë dhe do të ndihmojë për të krijuar një ide më të qartë mbi ecurinë e skuadrave këtë sezon.

Vëmendja maksimale do të jetë në Laç, ku kurbinasit e drejtuar nga Shpëtim Duro do të presin Vllazninë kryesuese. Bardhezinjtë nuk e kanë nisur aspak mirë sezonin, ndonëse gjatë merkatos nuk ngurruan të përmendin as fjalën titull, ndërsa Shpëtim Duro është trajneri i tretë që drejton ekipin pas Armando Cungut dhe Stavri Nicës.

Një javë më parë Laçi mori një barazim 1-1 në transfertën e vështirë ndaj Teutës në Durrës dhe sot do të kërkojë fitoren e dytë sezonale, për t’u shkëputur nga tre vendet e fundit, të cilat duket e do të luftojnë për mbijetesë.

Nga ana tjetër shkodranët janë surpriza më e bukur e kësaj faze të parë, pasi po luajnë një futboll shumë të bukur dhe kanë sulmin më të mirë të kampionatit, me plot 14 gola të shënuar, ndërsa sot në Laç do të kenë qetësinë e të qenit në krye.

Pas 5 fitoreve radhazi, Kukësi do të provojë të ruajë këtë hap në transfertën ndaj Kastriotit në Kamëz. Skuadra e drejtuar nga Skënder Gega e nisi me dy humbje kampionatin, por ka reaguar mjaft mirë dhe momentalisht mban vendin e dytë me 16 pikë, ndërsa sot do të kërkojë një tjetër sukses për të vijuar marshimin drejt kreut.

Nga ana tjetër krutanët e nisën sezonin mjaft mirë dhe kanë grumbulluar 10 pikë në 8 javët e para, por dy ndeshjet e fundit kanë pësuar edhe dy humbje radhazi, të cilat janë të vetmet deri tani për ta, ndaj të besuarit e trajnerit Ndreu do të provojnë të ndalin serinë e humbjeve pikërisht ndaj Kukësit.

Do të kërkojë vazhdimësinë edhe Tirana, që ka rigjetur stabilitetin në fushë dhe rezultatet, pasi ka marrë dy fitore radhazi ndaj Laçit e Apolonisë, ndërsa sot do të kërkojë të tretën në transfertën korçare ndaj Skënderbeut.

Këta të fundit nuk kanë forcën e sezoneve të fundit dhe kanë në përbërje emra të rinj të talentuar, që gjithsesi nuk kanë eksperiencën e duhur për t’i bërë ballë një kundërshtari si Tirana, megjithatë fjalën e fundit do ta thotë fusha e stadiumit “Skënderbeu”.

Teuta është një tjetër skuadër që e nisi sezonin me pretendimin për të fituar titullin kampion, por që në 8 javët e para ka shënuar vetëm 4 gola, duke regjistruar kështu sulmin më të dobët në shifra, ndonëse nga më të fortët në letër.

Sot në orën 13:30 durrsakët do të përballen me Apoloninë në “Loni Papuçiu” të Fierit me shpresën për të rigjetur golat e munguar, duke qenë se fierakët janë skuadra me mbrojtjen më të dobët në këto 8 javët e para.

Në orën 16:45, në “Elbasan Arena” do të luhet përballja mes Partizanit dhe Bylisit. “Të kuqtë” e drejtuar nga Ilir Daja nuk fitojnë prej 3 ndeshjesh dhe fundjavën e kaluar humbën me rezultatin minimal 1-0 në Shkodër përballë Vllaznisë, ndaj sot do të kërkojnë rikthimin te suksesi.

Nga ana tjetër ballshiotët nuk po kalojnë një moment të mirë dhe po vuajnë jo pak mungesën e një sulmuesi të aftë për të dërguar topin në rrjetë, ndërsa fitoren e parë sezonale e gjetën vetëm të dielën e kaluar në përballjen me Kastriotin.

Të gjithë takimet e javës së 9 do të transmetohen si zakonisht live në ekranin e Supersport, ndërsa nuk do të mungojë as emisioni “Gol pas Goli” i gazetares Vilma Masha, e cila bashkë me të ftuarit e saj gazetarë e opinionistë, do të sjellin komentet dhe intervistat e protagonistëve në kohë reale.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat