FSHF sjell përvojën më të mirë të futbollit modern

Futboll

FSHF sjell përvojën më të mirë të futbollit modern

Më: 23 dhjetor 2020 Në ora: 13:35
FSHF sjell përvojën më të mirë të futbollit modern

Federata Shqiptare e Futbollit ka nisur në fillim të muajit dhjetor kursin e përgatitësit atletik. Drejtuesi i këtij kursi është përgatitësi atletik i kombëtares shqiptare të futbollit, Luigi Febbrari. Një mundësi e shkëlqyer për të gjithë të interesuarit për t’u kualifikuar profesionalisht përmes një kursi që do të ofrojë të gjithë eksperiencën më të mirë bashkëkohore dhe lektorë me emër.

Përmes video-mesazheve këtë iniciativë të Federatës e kanë përshëndetur dhe vlerësuar shumë emra të njohur të futbollit dhe trajningut në Itali. Duke filluar që nga Marcello Lippi, Marco Rossi, Cesare Prandelli, Claudio Ranieri, Gianni De Biasi, Simone Inzaghi, Javier Zanetti, Fabio Cannavaro apo Roberto Mancini kanë ndarë këshillat e tyre me të interesuarit për të ndjekur këtë kurs dhe për t’u marrë me këtë profesion, që është mjaft i kërkuar në futbollin modern. Ata kanë shpjeguar posaçërisht për FSHF.org rëndësinë e rolit të përgatitësi atletik për një skuadër futbolli dhe eksperiencën e tij me përgatitësit atletikë.

Në lidhje me ecurinë e kursit ka folur edhe drejtuesi i Sektorit të Edukimit në FSHF, Astrit Maçi, i cili thekson se trajneri i përgatitjes fizike është një hallkë shumë e rëndësishme për një skuadër futbolli në futbollin e sotëm. Maçi shprehet se të gjithë profesorët janë ndër emrat më të mëdhenj jo vetëm në Itali, por edhe në botë që flasin në bazë të gjithë kërkimeve shkencore të fundit, të viteve 2020.

“Kursi i trajnerit i përgatitjes fizike është një nga kurset më të rëndësishme në të gjithë botën. Te ne ky është kursi i 4-t por sidoqoftë, nga formati, nga mënyra e organizimit i këtij kursi, nën drejtimin e profesor Luigi Febbrarit është diçka jashtëzakonisht e mirë. Siç dihet futbolli nuk është shkencë, por shkenca ndihmon futbollin. Dhe shkenca është përgatitja fizike e cila ka njohuri të thella.

Ajo që është më e mira e këtij kursi është se të gjithë profesorët, përveç tanëve, vijnë nga Italia, janë ndër emrat më të mëdhenj jo vetëm në Itali, por edhe në botë që flasin në bazë të gjithë kërkimeve shkencore të fundit, të viteve 2020. Është një kurs që është shumë i vështirë ta organizosh në këtë formë. Të gjithë ekipet që janë në elitë, nuk kanë një përgatitës fizike, por kanë 4-5. Sepse është hallka më e rëndësishme e skuadrës së futbollit. Detyrimisht teknika, taktika, por asnjë veprim nuk mund të bëhet nëse nuk kemi një skuadër të përgatitur fizikisht. Që të jetë e përgatitur fizikisht, duhet trajneri i përgatitjes fizike.

Për këtë FSHF ka marrë si iniciativë që nuk mund të ketë licencim të një ekipi pjesëmarrës në kampionat nëse s’do të ketë në staf trajner të përgatitjes fizike”, – tha Maçi për FSHF.
Ndërsa, Keida Ushtelenca, një nga pjesëmarrëset e kursit thotë për FSHF se niveli i mësimdhënies është mjaft i mirë dhe se është mjaft e kënaqur që është pjesë e kësaj iniciative.

“Është për t’u vlerësuar fakti që FSHF për të disatën herë ofron këtë kurs intensiv të trajnimit të përgatitësve atletikë. Ata që e njohin sadopak sportin ose futbollin në veçanti arrin ta kuptojë sa i rëndësishëm është përgatitësi atletikë për një skuadër. Sa i përket strukturës së trajnimit mund të them që është një trajnim shumë cilësor, kemi një ndërthurje të teorisë dhe praktikës. Në bazë të këtij kursi janë leksionet e teorisë së sportit që janë shumë të rëndësishme, por në këtë kurs kemi edhe lektorë të tjerë të cilët kanë shpjeguar psikologjinë e sportit, sociologjinë e sportit, didaktikën apo qoftë edhe të ushqyerit në sport.

Profesorët janë realisht shumë të përgatitur, kanë ardhur jo vetëm me leksione të përgjithshme, por me materiale të bazuara në kërkime shkencore të fundit të fushës së sportit dhe të futbollit, duke parë edhe metodologji shumë të mira të përdorura nga ata dhe nga teknologji të fundit të zhvilluara në Itali dhe në botë. Edhe pse jemi duke jetuar në kohë pandemie, kjo nuk ka penguar që të organizojmë një trajnim kaq të mirë duke na ardhur në ndihmë edhe platformat e komunikimit online, pasi leksionet po i marrim online”, – shprehet Keida.

Sipas rregullores së FSHF, në çdo skuadër futbolli do të ketë një përgatitës atletik në stafin e një skuadre, por edhe në stolin e saj teknik. Duke parë edhe interesimin e madh pritet që ky kurs të zhvillohet sërish gjatë vitit të ardhshëm.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat