Gjergji: Futbolli i femrave në fokus

Futboll

Gjergji: Futbolli i femrave në fokus

Më: 26 dhjetor 2020 Në ora: 18:35
Gjergji: Futbolli i femrave në fokus

Është vetëm 17 vjeçe dhe i ka arritur të gjitha me Vllazninë. Matilda Gjergji, mbrojtësja e talentuar e Shqipërisë dhe Vllaznisë ka arritur të fitojë disa herë kampionatin e femrave me Vllazninë, kupën si dhe ka arritur të shënojë emrin në listën e lojtareve që shkruan historinë, duke u kualifikuar në grupet e Champions League.

Gjithçka nisi në lagje, me shokët dhe më pas në shkollë, mësuesi i edukimit fizik dalloi talentin që buronte në këmbët e Matildës. Pjesë e Kombëtares U-17, Matilda rrëfen në një intervistë për rubrikën “Talenti Shqiptar” në fshf.org se synon të bëhet pjesë e Kombëtares së madhe. Idhulli i saj është futbollistja e Kombëtares A, Arbiona Bajraktari, njëkohësisht edhe shoqja e saj në klubin e Vllaznisë.

Nga hapat e parë, te emocionet kur mori ftesën nga Shqipëria, sakrificat, mesazhet për vajzat dhe momentet e lumtura, ajo vendos t’i ndajë me ne.

– Si lindi dëshira dhe pasioni për futboll?

– Kam nisur të luaj futboll që kur isha shumë e vogël. Fillimisht luaja me shokët në lagje, pastaj në shkollë. Në fakt historia ime nuk është ndryshe nga ajo e vajzave të tjera, pasi jemi shumë të ngjashme. Megjithatë, kujtoj që futbolli i lagjes më krijon ende emocione kur e kujtoj, pasi aty i kam hedhur hapat e parë.

– Cili ishte njeriu i parë që të afroi me këtë sport dhe besoi te ti?

– Në shkollë, në orën e fizkulturës luaja me shokët e klasës futboll. Mësuesi i edukimit fizik në shkollë, që na jepte mësim, ka qenë pjesë e ekipit të Vllaznisë dhe lojtar i ekipit. Ai më shikonte teksa luaja dhe më afroi me ekipin e Vllaznisë.

– Si është marrëdhënia jote me grupin dhe trajnerin?

– Unë jam realisht një vajzë shumë fatlume. Duke qenë që e vogël pjesë e ekipit të Vllaznisë, unë kam marrë mësime nga futbollistet e tjera që janë model për mua. Kam një marrëdhënie të mirë me të gjithë, duke filluar nga drejtuesit e ekipit dhe me të gjitha vajzat.

– Si e përjetove momentin kur more ftesën e parë nga Kombëtarja?

– Aty filloi ëndrra për mua. Me ftesën e Kombëtares, mendoj se kam realizuar një pjesë të qëllimeve që unë i kam vendosur vetes. Edhe pse ftesa erdhi fillimisht nga ekipi kombëtar U-17, isha tejet e emocionuar, pasi gjithmonë kam ecur me parimin që nuk mund të ngjis 4 shkallë me vetëm një lëvizje. Unë besoj se do të vijë momenti edhe për të qenë pjesë e Kombëtares së madhe. Jam gjithmonë gati, kudo dhe kurdo të jap maksimumin për këto ngjyra.

Cili ka qenë momenti apo episodi më i lumtur në karrierën tënde deri tani?

– Personalisht jam e lumtur për çdo moment që kaloj me këtë ekip. Kam fituar gjithçka me këtë ekip, kampionate, kupa të Shqipërisë dhe për më tepër, kemi arritur të shkruajmë historinë, duke u bërë pjesë e kompeticionit të Champions League. Nuk e di se çfarë mund të më lumturojë më tepër. Gjithashtu, këtë vit, në raundet kualifikuese për Champions League, kur arritëm të kalonim ekipin turk me penallti, ka qenë një nga momentet më të lumtura, por edhe më drithëruese. Edhe sot kur e kujtoj, më dridhet ende zemra.

Si e motivon veten kur ekipi nuk merr rezultat pozitiv?

– Motoja e ekipit tonë, në fitore, barazime apo humbje është “Mos u dorëzo kurrë.” Ne nuk flasim në vetën e parë në ekip, fitorja dhe rezultatet e tjera janë të përbashkëta.

Cila është sakrifica më e madhe që ke bërë për futbollin?

– Në fillim të këtij sezoni, unë kisha një dëmtim shumë serioz dhe stafi mjekësor më këshilloi të bëj pushim dhe të ndjek terapinë, por e kam ndjerë shpirtërisht të sakrifikoja dhe të bëja përgatitje për Champions League.

Çfarë synimi ke për të ardhmen?

– Më sipër e preka pak temën e Kombëtares. Synimi kryesor është të bëhem pjesë e Kombëtares A dhe të arrij nivele edhe më të larta në futboll.

Cila është këshilla më e vyer që ke marrë dhe nga kush?

Çdo këshillë që marr, qoftë nga trajnerët apo edhe nga vajzat që kanë më shumë eksperiencë se unë, më shërben shumë dhe i konsideroj shumë të vyera. Këshilla që stafi drejtues na jep është që të punojmë fort dhe të bëhemi një model i mirë për vajzat më të vogla, ashtu siç janë për ne vajzat që janë më të mëdha.

Si e vlerëson faktin që Federata Shqiptare e Futbollit po i jep prioritet futbollit të femrave?

– Më vjen realisht mirë që Federata po i jep prioritet futbollit të femrave, po e promovon dhe po e mbështet. Kemi pasur përkrahje, por shpresoj dhe besoj se duke qenë ndër prioritetet kryesore, do të jemi më në fokus. Kam dëgjuar shumë njerëz që flasin për mbështetjen që do i jepet futbollit të femrave dhe kjo është diçka e mirë, pasi vetëm pse jemi femra, nuk mund të mos vlerësohemi. Futbolli i femrave duhet të ketë të njëjtin vlerësim si ai i djemve.

Cili është idhulli yt në kombëtaren ideale?

– E theksova që jam fatlume, pasi jam pjesë e ekipit kampion të Shqipërisë dhe luaj me futbolliste me nivel realisht të lartë, që janë edhe pjesë e Kombëtares së madhe. Duke qenë lojtare me tipare mbrojtëse, idhulli im është Arbiona Bajraktari. Shpresoj që një ditë të eci me hapat e saj.

Çfarë mesazhi i jep vajzave që i thuhet se futbolli është vetëm për djem?

– Futbolli është i çdo njeriu, nuk i përket vetëm djemve. Futbolli luhet po aq bukur edhe nga vajzat, sa edhe nga djemtë; të fal po të njëjtat emocione dhe një gjë të tillë e kemi provuar shumë herë me ekipin e Vllaznisë. I lutem çdo vajze të ndjekë ëndrrat dhe i lutem çdo prindi që t’i mbështesin vajzat dhe mos t’i ndalojnë,  sepse një ditë do të krenohen, ashtu siç krenohet familja ime me mua.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat