Salihu: Cili njeri nuk ia kishte vazhduar kontratën një personi të tillë?

Futboll

Salihu: Cili njeri nuk ia kishte vazhduar kontratën një personi të tillë?

Më: 1 janar 2021 Në ora: 14:37
Challandes

Viti 2020 ishte padyshim viti më i vështirë për Kombëtaren e Kosovës në futboll. “Dardanët” të udhëhequr nga trajneri Bernard Challendes shijuan vetëm një fitore brenda vitit kalendarik.

Kjo fitore erdhi vetëm pasi kishin kaluar 333 ditë të vitit dhe atë përballë Kombëtares së Moldavisë në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë me rezultat minimal 1-0.

Humbja më e rëndë gjatë vitit të kaluar ishte ajo kundër Maqedonisë së Veriut në muajin gusht me rezultat 2-1 ku edhe u shua ëndrra e kosovarëve për ta parë Kombëtaren e tyre në Kampionatin Evropian.

Të gjitha këto rezultate negative nuk mbetëm pa u komentuar nga opinioni sportdashës në vend. Ka shumë zëra që kërkojnë shkarkimin e trajnerit Bernard Challendes, por në të njëjtën mendje nuk janë drejtuesit e Federatës së Futbollit të Kosovës të cilët konfirmuan se ai do të vazhdojë të jetë në krye të Kombëtares së Kosovës edhe për ndeshjet kualifikuese të Kampionatit Botëror 2022.

Sekretari i Përgjithshëm i Federatës së Futbollit të Kosovës, Eroll Salihu, deklaroi për KosovaPress, se trajneri Bernard Challendes ka përvojën e duhur dhe ka ende shumë për t’i dhënë Kosovës.

Salihu: Challendes ka ende shumë për t’i dhënë Kosovës

"Më tregoni cili njeri kishte mundur mos t’ia vazhdojë kontratën një trajneri i cili i bën 15 ndeshje si autsajder total, për herë të parë në histori të futbollit i bën 15 ndeshje, edhe ia ngritë imazhin gjithë popullit shqiptar kudo që janë. Cili njeri nuk ia kishte vazhduar kontratën një personi të tillë?

Ne e dimë mirë, (e dinte) edhe presidenti Vokrri, edhe presidenti Ademi, edhe të gjithë të tjerët e dimë mirë çfarë kualitete ka. Është një person që ka shkollë te lartë, që ka përvojë të madhe, që e njeh mentalitetin e shqiptarëve dhe kosovarëve ne veçanti edhe jam i bindur që ka shumë për të dhënë në bazë të përvojës, në bazë të karakterit dhe mentalitetit që ka", deklaroi Salihu për KP.

Që Bernard Challendes duhet edhe më tutje ta drejtojë ekipin e Kosovës në futboll, mendon edhe analisti sportiv Arsim Prepolli. Sipas tij, trajnerit zviceran duhet t’i jepet edhe një mundësi dhe ne rast se mungojnë rezultatet, atëherë Federata e Futbollit të Kosovës duhet të marrë masa në këtë drejtim. Prepolli për KosovaPress ka thënë se ardhja e një trajneri të ri në këto momente mund të ndikonte negativisht në atmosferën brenda grupit.

Prepolli: Duhet të vazhdohet me trajnerin Bernard Challendes

“Challendes ndoshta ka mundur të gabojë ndonjë taktikë apo mos aktivizimi që ka qenë i Bernard Berishës me atë gjestin që e bëri, por si do që të jetë, unë mendoj që duhet t'i jepet edhe pak hapësirë. Ai ka kontratë ende me ne, por edhe ai është i vetëdijshëm që në qoftë se tash e tutje nuk ka rezultate, normal që pritet edhe shkarkimi i tij. Këtë e ka përmendur edhe kryetari i federatës z. Agim Ademi i cili ka thënë se selektorët e çdo Kombëtareje duke filluar prej femrave U-15, U-17, U-19, U-21, te Kombëtarja A, trajnerin e mban vetëm rezultati, që është shumë korrekt edhe për mendimin tim. Për momentin, mendimi im personal është nuk duhet të preket Challendes. Këdo që të sjellim, ai ka me sjellë një risi të re. Ta lejojmë edhe në këto kualifikime ta shohim se si po reagon ose t'i shohim dy-tri lojërat e para, ne qoftë se nuk ka rezultate atëherë duhet me marrë diçka masa edhe Federata e Futbollit", tha Prepolli.

Ndërsa trajneri i Gjilanit, Bylbyl Sokoli, deklaroi për KosovaPress se në Kosovë ka shumë trajnerë të cilët mund ta drejtojnë Kombëtaren e futbollit, por që Challendes ka vizionin e duhur për ta krijuar një përfaqësuese dinjitoze.

Sokoli: Challendes po punon drejt krijimit të një Kombëtareje dinjitoze

"Unë jam i sigurt që Bernard Challandes ka bërë shumë për ekipin e Kosovës, e njeh mirë mentalitetin tonë dhe çfarë do të ndodhë në të ardhmen nuk e di, por kemi të bëjmë më një trajner i cili e njeh mire mentalitetin tonë dhe është i qartë në kërkesat që çojnë drejt krijimit të një përfaqësuese e cila do të jetë dinjitoze për çdo kundërshtar në Evropë. Personalisht mendoj se ka shumë trajnerë të cilët janë dinjitoz për të udhëhequr me ekipin e Kosovës, kuptohet. Ju e dini që, shtabi teknik që i ndihmon trajnerit Challendes është një shtab teknik që gjatë është me përfaqësuesen tonë dhe i njeh mirë futbollistët.

Të gjithë ata që punojnë në shtab teknik që janë me Challendes janë kalitur mjaft që mund ta drejtojnë edhe ekipin e përfaqësueses tonë, por janë edhe trajnerë të tjerë në ekipet zinxhirë të grupmoshave të reja.

Edhe ata kanë njohuri, kanë aftësi, kanë dijeni, kanë kapacitet. Prandaj nuk duhet të brengosemi shumë rreth asaj se ndonjë emër i njohur do të na dërgojë në Kampionatin Botëror. Do të na dërgojë një grup homogjen, do të na dërgojë dikush i cili kontrollon grupin, dikush i cili i përcakton qartë vizionet dhe rrugën nëpër të cilën duhet të kalojë ekipi ynë dhe kuptohet me shumë disiplinë brenda dhe organizim", ka thënë Sokoli.

Kontrata e trajnerit Bernard Challendes me Federatën e Futbollit të Kosovës skadon në vitin 2022 dhe sfida e tij e radhës do të jetë kualifikimi për në Kampionatin Botëror “Katar 2022”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat