Vllaznia e Shkodrës pas mesfushorit të Ballkanit

Futboll

Vllaznia e Shkodrës pas mesfushorit të Ballkanit

Më: 5 janar 2021 Në ora: 11:30
Vllaznia e Shkodrës pas mesfushorit të Ballkanit

Shumë zhurmë për disa emra të njohur, por te Vllaznia nuk duan të nxitohen me afrimet në një prej momenteve më delikate të sezonit.

Hapja e merkatos ka bërë që drejtuesit të shpejtojnë për afrimet e nevojshme, por gjithsesi ky sesion i transferimeve nuk është si në verë. Kjo konfirmohet nga fakti se klubi shkodran ende nuk ka zyrtarizuar ndonjë transferim.

“Panorama Sport” mëson se një prej lojtarëve më të pëlqyer për të forcuar mesfushën është 27- vjeçari malazez, Edvin Kuç, i cili prej dy vitesh po shkëlqen në kampionatin kosovar me Ballkanin e Suharekës.

Mirëpo, edhe pse palët janë futur në bisedime, gjithçka ka ngecur për shkak se lojtari nga Tuzi është nën kontratë me klubin kosovar edhe për një sezon. Vllaznia duhet të përmbushë kërkesën e Ballkanit fillimisht për të shkuar më pas tek akordi me lojtarin.

Në këto kushte, kjo pistë duket shumë e vështirë për t’u realizuar. E njëjta gjë mund të thuhet për sulmuesin që ka qenë pjesë e Kombëtares, Azdren Llullaku.

Ky i fundit është gjithashtu nën kontratë me klubin e Ligës së Dytë rumune, Konkordia. Edhe pse ka pëlqyer ofertën e Vllaznisë, mësohet se ai nuk po arrin dot të prishë marrëveshjen me rumunët.

Gjasat që 32-vjeçari t’i bashkohet Vllaznisë janë minimale, pavarësisht përpjekjeve të mëdha të shkodranëve. Ndërkohë, edhe mesfushori Elvir Maloku, që për afro dy muaj u stërvit me Vllazninë dhe dukej i sigurt se do të firmoste, tashmë është larg marrëveshjes.

Burime në klub tregojnë se lojtari i krahut nuk e ka pëlqyer ofertën e shkodranëve, të cilët kërkuan një kontratë afatgjatë. Maloku është larguar drejt Kroacisë prej dy javësh dhe mbetet për t’u parë tashmë nëse do të arrijë akordin me Vllazninë.

24- vjeçari shqiptar i lindur në Kroaci ka qenë pjesë e Kombëtares U-21 dhe trajneri Brdariç e kishte planifikuar si një forcë më shumë nga janari e tutje. Por, tashmë në klub duhet të bëjnë të tjera llogari.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat