Cammarata: Penalltia ishte e pastër

Futboll

Cammarata: Penalltia ishte e pastër

Më: 10 janar 2021 Në ora: 11:11
Cammarata: Penalltia ishte e pastër

Fabrizio Cammarata i ka bërë surprizën e hidhur Partizanit. I ka marrë një pikë sot, në frymën e fundit, kur të kuqtë thuajse kishin nisur të festonin. Start inkurajues për trajnerin italian, që la Dinamon për Apoloninë në kapërcyell të dy viteve. Pas barazimit 1-1, kryepankina fierake u shpreh:

“Penalltia? Nga pamjet që shikoj, mbrojtësi e ka dorën e ngritur. Topi shkoi te dora e tij. Më duket një penallti e pastër. Partizani është pak i mërzitur se pësoi gol në shtesë, por sipas rregullores është penallti.

Prej një jave ndodhem te Apolonia, skuadra është stërvitur shumë mirë. Pjesa e parë ishte shumë pozitive nga ana jonë, ndërsa në të dytën u tërhoqëm disi, pasi Partizani ka një skuadër të mirë. Nuk u dorëzuam në asnjë moment, kjo ka rëndësi. Kjo pikë do të na japë moral për vazhdimin e sezonit.

Mbijetesa? Ka edhe 23 ndeshje, janë 69 pikë në lojë. Duhet të besojmë te mbijetesa, skuadra është e gjallë dhe dëshiron ta arrijë objektivin. Detyra ime është ta karikoj gjithmonë skuadrën, pasi djemtë kanë dëshirë për të qëndruar në Superiore. Jam i bindur që kjo skuadër mund të qëndrojë në elitë.

Ika nga Dinamo, pasi doja Superioren. Dinamon do ta falënderoj gjithmonë, më dha mundësinë të njoh futbollin shqiptar. Tani mendoj vetëm për Apoloninë. Presidenti do të bëjë gjëra të bukura me këtë ekip dhe shpresoj të jem pjesë e këtij plani.

Iu thashë djemve se nuk duhet të dorëzohemi nëse kalojmë në disavantazh. Jam i lumtur, e pashë skuadrën të bëjë gjëra të bukura në pjesën e parë. Unë kam qejf të kem një skemë fikse, por duhet t’ua përçoj principet e mia të lojës djemve. Ishim shumë të ekuilibruar sot përballë një kundërshtari që do të garojë për titullin kampion”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat