Një tjetër Tiranë

Futboll

Një tjetër Tiranë

Më: 15 janar 2021 Në ora: 11:37
Një tjetër Tiranë, 3 pikët detyrim!

Për të dytën javë radhazi, trajneri i Tiranës Nevil Dede nuk doli në konferencën për shtyp para ndeshjes, me Tiranën që do të sfidojë këtë të shtunë Kastriotin. Këtë herë Dede ja la vendin zëvendës-trajnerit Olsi Uku ndërkohë bashkë me të në konferencë për shtyp ishte i pranishëm edhe mesfushori i rikthyer nga dëmtimi Jurgen Çelhaka. Uku nënvizoi se skuadra nuk është nën presion dhe se ndaj Kastriotit do të rikthehet te fitorja ndërsa Çelhaka bëri me dije se është rikuperuar plotësisht dhe është gati për të zbritur në fushë.

UKU – “Skuadra nuk është në presion, ne jemi paraqitur mirë dhe kemi zhvilluar ndeshje të mira. Unë mendoj se skuadra është në nivelin e duhur, rezultatet do të vijnë, nuk është se jemi në presion. Nga ndeshja e nesërme do të jetë kthesa jonë e rezultateve pozitive, e fitoreve.

Kastrioti? Nuk besoj se do të bëjmë diçka ndryshe, ne gjithmonë e përgatisim ndeshjen për ta fituar. Do të respektojmë kundërshtarin, shpresoj të bëjmë diçka më shumë për të fituar ndeshjen. Muçi kishte vetëm një shqetësim të vogël dje, nuk ka probleme dhe do të jetë në lojë nesër. Paraqitjet e mira duhet të shoqërohen me tre pikësha, por besoj se jemi akoma në garë për çdo gjë. Nuk është se e kemi në plan rikthimin e katër fantastikëve, për ne janë të gjithë lojtarët fantastikë, nga i pari te i fundit. Nuk kemi plan të veçantë.

“Kastrioti meriton respekt, ka gërshetuar elementin e ri me eksperiencën. Luajnë bashkë prej kohësh, janë agresivë dhe një skuadër që të imponon respekt. Jo rastësisht janë aty ku janë me rezultatet pozitive që kanë marrë”.

Egbo? Nuk kam koment, është mendimi i ish-trajnerit Egbo. Seferi? Ai është stërvitur prej ditës së hënë dhe besoj se është gati. Do të vendosë stafi nëse do të luajë apo jo. Sa i përket merkatos, nuk besoj se është kompetenca ime të flas. Ne bëjmë punën me ata lojtarë që kemi”.

ÇELHAKA – “Gjendja ime është shumë e mirë, jam rikthyer pas një kohe të gjatë. Tani jam gati në 100%-in tim, vetëm kondicioni im fizik nuk është aty ku duhet. Shpresoj me stërvitje do të arrij aty ku duhet dhe nga java tjetër, kismet Zotit, do të vazhdojmë aty ku e kemi lënë.Ka qenë shumë e vështirë, nuk isha përballur asnjëherë me kështu dëmtimesh, por të gjithë çunat më kanë qëndruar afër, të gjithë drejtuesit më kanë qëndruar afër. Kjo më ka bërë që të mos e ndjej fare këtë dëmtim”.

“Skuadra ka bërë ndeshje shumë të mira, të gjithë çunat kanë dhënë 100%, vetëm çështja e golit nuk është zgjidhur shumë mirë. Besoj se Seferi dhe Muçi do e zgjidhin çështjen e golit. Konkurrenca? I bën mirë ekipit, i mirëpres të gjithë lojtarët e mirë. Toli ka bërë ndeshje të mira, edhe unë mund të bëj ndeshje të mira tani që kthehem. Mund të luaj me Tolin dhe Bathën, i takon trajnerit”.

“Titulli? Mendoj se Tirana duhet të mendojë për ndeshjen e ardhshme. Edhe vjet kështu e nisëm dhe e përfunduam me titullin kampion. Ndaj Kastriotit është ndeshje e vështirë, ata janë agresivë, por ne jemi Tirana, luajmë në shtëpinë tonë dhe shkojmë vetëm për fitore. Ndihem mirë, ndihem i vlerësuar, por nuk më takon mua të flas për këto gjëra. Për momentin dua vetëm të kthehem dhe të jap më të mirën për Tiranën".

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat